Shkenca do të zëvendësojë të mbinatyrshmin

Nga:
Ismet Toto

Shkrimi është pjesë e polemikës së Ismet Totos me françeskanët Harapi e Fishta gjatë vitit 1934 në shtypin e kohës. Këtu është marrë nga përmbledhja “Bota e një djali kryengritës”, Toena, Tiranë, 1997

 

Nga shënimet e shkurtëra, që bëmë më lart, duket sheshit se evolucioni që bëri idea e perëndisë që nga njeriu primitiv e gjer tek Krishti, është i madh. Idea e zotit, duke dalë nga qarku i ngushtë i familjes, mbasandaj tribus, mbasandaj rracës, tani mori një formë universale. Zoti është tashti ati i gjithë njerëzimit dhe nuk shembëllen e as identifikohet me ndonjë gjë që mund të konseptojë truri i njeriut. Në këtë mënyrë vërtetohet teza, që zoti është një krijesë e mendjes njerëzore, sepse, siç u provua, duke u zgjeruar horizonti i mendimit të njeriut, ndërron formë dhe idea e zotit. Dhe sa më tepër ndërron formë e largohet nga jeta e përditshme, aq më tepër përparojnë e zhvillohen njerëzit, aq më pak e ndjejnë nevojën e zotit.

Mirëpo institucionet fetare kanë qëndruar më këmbë dhe ushtrojnë edhe sot një farë autoriteti në turmat e pazhvilluara të çdo populli. I gjithë përparimi në shkencë dhe në dituri, nuk ka mundur akoma të thyej definitivisht autoritetin e këtyre institucioneve. Po kjo nuk do të thotë se nuk do ta thyej një ditë.

Sot, një statistikë amerikane vërteton, çdo foshnje, çdo grua e çdo burrë amerikan ka në shërbim të tij një energji prej 50 skllevërish, po të llogaritet fuqia lëvizëse e motorëve që përdoret në atë vend për prodhimin e komoditeteve të ndryshme. Kjo nuk është një dhuratë e fesë, por rezultat i luftës, që iu bë asaj. Njeriu modern mblodhi lotët e derdhur nga ata që vuajnë aq shumë persekusionet e ndryshme të mesjetës fetare, i ktheu në avull dhe krijoi makinën lëvizëse, e cila bën të gjitha punët (Mbase një ditë do të bëjë dhe atë të mendimit!). Njeriu modern mori një grusht baltë nga varri ku shtrihen kockat e martirëve të mendimit të lirë dhe mbrujti teleskopin, me anën e të cilit shikon dhe studion thellësitë e qiejve, milionat e botëve, nebulave, galaksive, që na rinë reth e rotull dhe, për fat të keq, as në ato largësira nuk e gjen perëndinë krijuese të fetarëve primitivë!

P. A. Harapi e di më mirë nga unë, që shkenca po zëvendëson të mbinatyrshmen. Unë besoj se jo një njeri laik çfarëdo, por edhe P. A. Harapi vetë, kur i dhëmb koka ose kur e zënë ethet, nuk shkon të bëjë lutje apo sakrifica në altar, por thërret mjekun dhe i kërkon barna. Edhe në qoftëse ndonjë tronditje a shqetësim në sistemin nervor, do të bënte më mirë të shkonte tek S. Freud ose A. Adler, sesa të binte përpara ndonjë statuje, që simbolizon ndonjë shenjtor, të cilin populli i vogël e beson se bën mrekulli, mund të lëvizë sytë, dorën e ku di unë!…

A beson P. A. Harapi, se një statujë çfarëdo, e bërë nga baltë ose nga mermer, mund të bëjë mrekullira? Të lëvizë dorë e këmbë? Çfarë intelektualizme dhe adhurimi për shkencë shet në “Hyllin e Dritës” dhe çfarë thot për statujën, që lëviz, kur ndodhet përpara plakave, pleqve e foshnjave, që frekuentojnë kishën!?…

Nuk ndjej aspak nevojën të zgjatem në këtë pikë. Sot në vend të mrekullive dhe çudive të teologjisë, shkenca na jep ligjet e gjithësisë. Në vënd të magjisë, kemi kiminë e fizikën. Për krijimin e njeriut e të tokës, kemi zbulimet e ndritura dhe të arsyeshme të evolucionit dhe gjeologjinë. Për vizitat e djallit në tokë, na kemi mjete që luftojnë insektet dhe mikrobet. Është shkenca e vrazhdë, materialiste, që na shpie përtej errësirës në dritë. Vetëm shkencëtari, i cili mundohet të përshtatë njerëzimin te Gjithësia dhe Gjithësinë te njerëzimi, do prodhojë më në fund kryeveprën e imagjinatës njerëzore. Dhe kur të vijë ajo ditë, profeti dhe artisti do të mbeten të turpëruar…

Prandaj qytetërimi i sotëm është tokësor. Fakti që kleri i organizuar kërkon të thotë se ai është dakort me gjithë shpikjet e hapat e shkencës, provon çiltas se instikti themeltar i autokonservacionit është akoma i fortë edhe në priftërinjtë. Dhe do vijë dita që të pranojnë me taktikën e tyre që kanë përdorur për çdo hap qytetëronjës, se qielli nuk është më as misterioz, por një mekanizëm pafundësisht e përpleksur 1 që punon sipas ligjeve që rregullojnë atomet, elektronet e protonet e një cope guri. Do vijë koha të pranojnë që as jeta s’është dhe aq e errët, sepse shkencëtarët qysh tash “kanë përgatitur farë artificiale, të cilat, po mbillen, lëshojnë degë e fletë dhe prej materies pa jetë, prodhojnë celule 2 të gjalla që lëvizin, ushqehen, ndahen” dhe s’është aspak gabim i imagjinatës sonë, të themi, që shkenca do vijë deri në atë pikë, sa të fabrikojë njerëz; dhe jo idiotë, siç bën nganjëherë perëndia!…, por vetëm gjenij.

Njerëzit po e kuptojnë se nuk janë tjetër, veçse organizma të riprodhura, pa vleftë e pa rëndësi përpara madhështisë së natyrës. Njeriu modern duke i dhënë pozitën e gjykatësi të fundit suprem Mëndjes, gjurmimit shkencor, do të zhdukë padijen frikën dhe me zhdukjen e këtyre, vetvetiu që do të harrohen krejt dhe perënditë e vjetra me gjithë interpretimet e tyre. Edhe kimisti me biologun na e shpjegojnë jetën dhe vdekjen në mënyrë fare të thjeshtë. Aktivitetet marrrëdhënëse midis celulave të gjalla, të cilat mvaren nga lëngjet colloidal, prodhojnë jetën. Vdekja s’është gjë tjetër, veçse ngrimja e këtyre lëngjeve coloidalë, pikërisht siç ngurohet një e bardhë e vezës, kur e zjejmë. Nëqoftëse ka “ndonjë gjë të mshehtë” e të pashpjeguar në termat e forcave fizike dhe kimike, ai fakt nuk na intereson dhe s’ka as ndonjë rëndësi, sepse ajo gjë e mshehtë mund të anullohet aq lehtë nga forcat e shkencës, sa herë që t’i pëlqejë kësaj të fundit. Me sa është e mundur, që një e bardhë e vezës së zjerë të kthehet një cilësitë e para, aq është e mundur për një kufomë të ngjallet. Dhe nëqoftëse ka ndonjë fuqi mistike të panjohur në punën e gjallërisë, ajo fuqi as është e zonja ta ndalojë vdekjen, as ta zhdukë. 3

Prandaj që të vdesim burrërisht, duhet ta kuptojmë vdekjen nga kjo pikëpamje e thjeshtë shkencore dhe biologjike, d.m.th. të riedukohemi dhe të shuajmë emisionin e madh përpara vdekjes që provon shumica e njerëzve, i cili shpjegohet si efekt i instikteve të tyre natyrale të autokonservacionit, dhe që i bën ata të besojnë e t’u çelen rrugën fetare për insistimin e tyre në një antiklimaks (rrojtje e shpirtit edhe mbas vdekjes) në dramën e jetës. Por përveç këtyre përrallave fantastike të priftërinjëve, të cilave u ka dalë boja fare në këta dy shekujt e fundit, s’kemi asnjë arsye që të besojmë në këtë antiklimaks.

Na kemi një dëshirë aq të nxehtë për pavdekshmëri” thot Mendelsohni “një siguri të brenshme aq të madhe për vazhdimësin e personalitetit tonë psihik, sa medoemos në këtë pikë nuk mund të jemi të gabuar”! “Kjo, do të ishte njësoj” thotë një kritik i tij “sikur të thoshim: jam i sigurt se një ditë do të bëhme zengjin, sepse ma thotë një zë i brendshëm që do të bëhem”! Aq kredi sa meriton ky i dyti, meriton dhe ai i pari.

Njeriu normal nuk rron jetën sepse shpreson në pavdekshmërinë e shpirtit apo sepse ndien një nevojë të madhe të gjejë shkakun e fillimit të botës. As që ka nevojë të domosdoshme për etikën e fesë. Njeriu rron krejt natyrisht, si çdo gjë e gjallë brenda në natyrë. 4 Ai rron sepse brenda në celulat që e përbëjnë, brenda në organizmën e tij ndjen një qejf, një kënaqësi, një gëzim, kur është gjallë.

Është koha, pra, të thuhet edhe në gjuhën shqipe një fjalë e lirë; është koha të themi se organizimet fetare, me gjithë supersticionet etyre, me tërë sistemet e tyre filosofike e fiskale, janë anakroniste dhe nuk i përgjigjen më kohëve. As që është e mundur me ndonjë mënyrë të bëhen këto eksponente të kulturës dhe të qytetërimit, siç duan të predikojnë edhe sot të gjithë ditën shenjtorët, sado të nguruar, mund të lozin synë!

 

Tiranë, 1934

 

Shënime:
1. G. Santayana, filozof amerikan i sotëm është i bindur që mekanizma është universale, sundon dhe më të thellat kufi të shpirtit.
2. Edmund Wilson, A Conversation in the Galapagos.
3. S. Harding, Modern Thinker, f. 327-328.
4. “Qëllimi i gjurmimit është të gjejmë “qysh” dhe jo “pse”; është të zbulojmë ligjet e jo shkaqet… fjala shkak duhet të mos ekzistojë më në fjalorin filozofik.” – August Comte.

 

“De Profundis”

 

 

 

Sulmova jetën dhe më pushtoi vdekja

Me kthetrat e saj të ndyra ajo më shqeu përsëgjalli.Kënga ime papritmas u kthye në një ulurimë shurdhonjëse.Dhe unë besnik i trupit tim të shëndoshë, i tronditur qëndroj në këmbë dhe vërej se ato ligje të psikologjisë nëpër të cilat ecën jeta dhe zhvillimi i njerëzve, janë të vërteta dhe sundojnë. Vetëm njerëzit që meritojnë dhe duhet të jetojnë, janë në lartësinë e vdekjes, e shikojnë këtë drejt për së drejti; pa frikë dhe pa tmerr. Sa më i pazhvilluar të jetë njeriu, aq më tepër i trembet vdekjes. Jeta, që s’ka një qëllim, është një jetë kafshe. Jeta, që nuk ka një dëshirë supreme, një shtytje të ngutur për të kuptuar dhe për të rritur një shkallë më të lartë e më të kulturuar, jeta, që nuk është një përpjekje e vazhduar për botëkuptimin e rregulla më të plotësuara e më të përsosura, ajo nuk është jetë. Edhe sot vazhdoj të rroj duke menduar. Ajo udhë, që më solli në këtë “abis”, udha e mendimit të sinqertë dhe e pasjes së një qëllimi në jetë, nuk është e gabuar. I vdekur mund të jesh më i madh dhe më i fuqishëm sesa të gjallët. Më tepër na udhëheqin të vdekurit, sesa të gjallët. Madhëria dhe forca e një njeriu plotësohen mbasi vdes. Miq dhe shokë pata pak në jetën time, gjithsej nja pesë a gjashtë. Vetëm me ata u kuptova plotësisht dhe, kur ndënja me ta, “qava hallet”, ndjeva një lartësim në brendësirën time, ndjeva vlerën e të qënurit gjallë. Nga hiçi erdha, në hiçin shkojmë. Ai çast i shkurtër, që quhet “jetë”, duhet ta mbushim me fisnikëri, me shpirtngrohtësi, me gjallëri, dhe sidomos me mendim. Sa je gjallë digju, dhe nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen. Po të mos qe dielli prej zjarri dhe duke u djegur, s’do kish as jetë, as botë … Mendja dhe shpirti e tundin dhe e mbrujnë lëndën.

 

 

 

 

 

(Shkruar nga Ismet Toto në burgun e Gjirokastrës, në orën e ekzekutimit) 

 

 

 

Gurë themelie , Ismet Toto

Përgatitemi duke ecur

Kjo është kryefjala jonë dhe e çdo njeriu, që ndien dhe jeton dinamizmën evolutive të botës së qytetëruar në këtë shekull. Nuk është kurrsesi e mundur, as praktikisht, as edhe teorikisht, që të krijohet një kuadër formulash dhe me anë të tij të parashikohen me detaje të gjithë elementët dhe mënyrat me të cilat do të zgjidhen, në të ardhmen, problemet e një vëndi. E ardhmja nuk mund të mbyllet e të ndrydhet nëpër formula. Jeta është dinamike dhe ka aspekte të shumëngjyrta. Ashtu siç ndryshon një plan lufte në zhvillim e sipër të luftës, ashtu reformohet, evolohet dhe kompletohet edhe një plan i jetës përgjithësisht. Po gjithashtu, sikundër një plan lufte supozon direktiva të përgjithshme, ashtu edhe një plan jete ka nevojë t’i paracaktohen disa vija, t’i shënohen gurët e themelisë, mbi të cilat do të qëndrojë. Po kaq dhe jo më tepër. Përsërisëm: Përgatitemi duke ecur, në ecje e sipër, po intuitivisht, dimë edhe se ku vemi. Themi intiuitivisht, sepse jeta e një shoqërie nuk zhvillohet besnikërisht me një proçes llogjik të parapashëm përpikërisht. Plani i jetës nuk zbatohet nga formula intelektuale të parakrijuara, qoftë spontaneisht, qoftë nga një proçedurë llogjike çfarëdo.

Shteti dhe Kombi janë një

Organizimi i një populli brenda disa kufijve dhe ligjeve, ia këmben emrin në Shtet. Po shtet nuk mund të ekzistojë pa patur vetë ai popull një vullnet të përbashkët – që lind nga homogjenitet kulture, zakoni, shpirti dhe rrace – për të bërë Shtet dhe Komb. Ekzistenca e një shteti është një fait acompli vetvetiu në këtë kuptim. Dhe ekzistenca e një Shteti presupozon edhe dëshirën për të realizuar Kombin: Që domethënë një harmoni gjithnjë më e përsosur në të gjitha shfaqjet e jetës njerëzore, spirituale dhe lëndore. Nga kjo e vërtetë e shkëlqyer del në shesh që Shteti dhe Kombi, në ditët tonë, janë dhe duhet të jenë Një. Dhe fakti që në krye të piramidës shoqërore të shteteve diktatoriale qëndron nga një njeri, që është mishërimi i aspiratave të shumicës dërmonjëse të popullit, nuk provon veçse atë që thamë. Dhe fakti më elokuent akoma, që këta prijsa jo më të mbajnë një ekuilibër midis ndasive, partive dhe divergjencave të grupeve, por me një përpjekje kurajoze të vazhdushme për të realizuar një shkallë sa më të lartë harmonie dhe bashkimi të tërësisë së popullit, provon haptazi se shteti dhe kombi, që si vullnet sinthetizohen tek Prijsi, janë kryekëput Një, si qëllim, si vullnet edhe si pikëmbritjeje.

Shteti dhe Individi

Nuk mund të konceptohet një njeri që jeton vetëm fill. Njeriu është anëtar i shoqërisë, celulë e një trupi më të madh me funksione më të mëdha. Ushtari i një batalioni nuk e ndien veten vetëm, por e shumëzon veten me pesëqint që është forca e batalionit. Sepse ai vepron si pjesëtar i një trupi, që quhet batalion dhe që ka fuqi pesëqint njerëz. Kështu është edhe njeriu në shtet. Është një pjesë e tërësisë dhe identifikohet me tërësinë dhe jeton jetën e tërësisë kombëtare. Kështu diktatura moderne nuk hiçëson individin, por e ngre në shkallën e lartë që të identifikohet me kombin. Në këtë mënyrë individi do t’i japë kombit gjithë ç’t’i kërkojë dhe kombi do t’i japë atij gjithë ç’i duhet. Ashtu sikundër një djalë i mirë u jep prindërve gjithë ç’fiton, fjala vjen, dhe ata i japin disa të holla e të mira sa u premton buxheti. Sepse më këtë frymë fisnike dashurie është e mbrujtur dhe qëndron më këmbë piramida shoqërore diktatoriale dhe jo mbi bazat e kalbura të marëdhënieve të lira, të leverdisë dhe të reciprocitetit. Sepse po të qe Kombi krijesa e një leverdie reciproke, d.m.th. një tregti në mes të individit dhe kombit, qysh mund të shpjegohen sakrificat tmerronjëse që bëjnë popujt në kohë paqe dhe lufte për interesat kombëtare? Shqiptarët e kohëve të indipendencës, a mos luftuan dhe vdiqën që të bëhej Shqipëria dhe të bëheshin ata zengjinë dhe të rronin mirë ata vetë personalisht? Apo mos nesër kur Atdheu, a thua se do të vejë i shtytur nga instikti tregtar? Instikti tregtar nuk bën komb. Bën çifutë. Kombet i mban sakrifica, altruisma, ideali, shpirti.

Arbënia, 1936

The Revolt Against Civilization

The Revolt Against Civilization

The Menace of the Under Man

nga

LOTHRUP STODDARD, A.M., PH.D (Harvard)

 

Lexo

Hyjnitë tona

Redoni

Hy qendror, ndoshta më kryesori te ilirët e periudhës qytetare e të lulëzimit të shtetit ilir. Për të ruhet dhe rafigurimi ikonografik në formën e një djaloshi me një kapele të tipit “kausia”, të dhënë në profil. Portreti shoqërohet me figurën e lembës ilire e me delfinin si atribute të hyjnisë. Kështu është dokumentuar në monedhat e Shkodrës dhe të Lisit, karakterin e përcaktimin e këtij hyu e bëri arkeologu H. Ceka. Është hyu zyrtar, me sa duket suprem i shtetit ilir të kohës së Gentit. Mbas shkatërrimit të shtetit ilir, kulti i Redonit mbijeton në territoret bregdetare e dëshmohet edhe në shekujt e parë të erës sonë.Kemi hedhur mendimin se nuk është vetë hyu i detit, por diçka më shumë dhe patjetër ka qenë lidhur dhe me kultin e familjes mbretërore ilire jo vetëm të kohës së Gentit, por edhe më përpara.Fakti që emrin e këtij hyu e gjejmë dhe si toponim gjeografik të Kepi i Redonit, në veri të Durrësit, lë të mendosh se këtu duhet të kërkojmë edhe një vend kulti të tij ndoshta të hapur, në natyrë.

Medauri

Ishte hyu ilir i luftës. Edhe ky shumë i rëndësishëm. Një qendër e kultit të Medaurit është Rizoni, por ndoshta dhe varret monumentale në Selcën e Poshtme ku janë të skalitura atributet e hyut, siç janë mburoja ilire me rrathët e saj koncentrike karakteristikë dhe përkrenarja. Gjithashtu, këto atribute dalin edhe në numizmatikë. Edhe për këtë hy kemi një paraqitje ikonografike. Ai është një hy kalorës. Paraqitet i hipur në kalë, me shtizën në dorën e majtë. Në skenën e njohur të paftës së Selcës së Poshtme, në fakt, te kalorësi (që ka pas shpinës gjarprin dragua) kemi Medaurin. Në këtë skenë kulti i Medaurit është i lidhur me kultin e ujërave (figura e gjarprit – monstër detar, e peshkut etj.) pra me kultin e vetë Redonit.
Nuk dimë me saktësi midis këtyre hyjnive: kanë paritet apo marrëdhënie hierarkike midis tyre. Një gjë është e sigurt: të dyja këto hyjni kanë bashkëjetuar dhe kanë qenë në krye të vendit në panteon.

Në lidhje me natyrën e hyut kalorës Medaur duhet thënë se studiues të ndryshëm kanë parë në të një variant ilir të kultit të “kalorësit trak” ose dhe të “kalorësve danubianë”.

Ka edhe mendime se në skenën me dy kalorës përballë, si te pafta e Selcës së Poshtme apo në brezat e Gostilies duhen parë dhe prototipat më të vjetër të Kultit të Dioskurëve, që paraqiten ikonografikisht si kalorës.

Medauri në realitet ka identitet ilir. Ai është një hy i veshur me armaturë tipike ilire, ndryshe nga kalorësi trak, – kalorësit e stelave danubiane apo Dioskurët, kalorës të dorëve.

Medauri dhe Redoni kanë emra etnikisht ilirë.

M.Zeqo, “Panteoni ilir”, 1995

Brez i fuqishëm

George Fred Williams
“Gjaku i Shqiptarëve është gjak burrërie. Shqiptari i ka dhënë Turqisë gjeneralët dhe ministrat më të mirë. Vëllezërit e tyre në Itali, Toskanët, vunë themelet e vertetë të madhështisë së Romës. Pesë perandorë të Romës qenë bij malësorësh Ilirianë; ata e forcuan racën Italiane. Në grykat dhe në malet e Atikës gjuha Shqipe është në përdorim edhe sot. Në përpjekjet e Greqisë për liri, Shqiptarët lanë emra fame. Ata trazohen me të tjerët, por në trazim nuk bashkohen, domethënë nuk i përziejnë gjakun dhe zakonet e tyre. Të ruajturit e gjuhës dhe të zakoneve të veta nën thembrën dhe tiraninë e shekujve tregon mundësitë e një race të fortë e të pamundëshme …”

Kalendari i sotëm pagan

hyllveg51.gif

Kalendari i sotëm pagan, është kalendari kombëtar që praktikohet nga pothuaj të gjithë shqiptarët, por shumë prej nesh pa e ditur ende arsyen e vërtetë pas festimeve që përfshihen në të. Çfarë kuptimi kanë veroret, plugimi, festivalet e luleve, rrëshajat, zjarret malore, buzmi, kërshëndellat, ujqit, viti i ri e shumë të tjera që janë festa mbarëkombëtare?Fshehur nën veshje të huaja me disa emra të ndryshuara me dhunë, festat që mbahen me kryeneçësi prej të gjithë nesh, pa dallim krahine apo ideje, janë festat e lashta ilire të cilat aspak rastësisht vazhdojnë të ndjekin këmba-këmbës ciklin e diellit dhe luhatjet e këtij. Hyllvegu është emri i ri vargmalas i këtij kalendari të lashtë e të pavdekshëm e do të thotë veg i Hyllit, punishte e Yllit, punishte e Diellit.

Duke u nisur nga të dhënat e mjafta rreth veprimtarive festive (shiko rrethin e blertë), drejtimet kryesore të tij në ciklin diellor janë si vijon:

Hyllvegu

Viti: 12 muaj / 365 ditë (366 një herë në katër vjet)
Muaji: 30-31 ditë (shkurt 28-29)
Java: 7 ditë (e hëna e para)
Dita: 24 herë (12 herë ditë, 12 herë natë)

Hyllvegu është standardizim i kalendarit festiv shqiptar sipas cikleve diellore. Duke vrojtuar modelin e festave shqiptare të shpërndara gjatë vitit vihet re se ato kryhen sipas një rregullsie që ndjek ciklin diellor. Kjo rregullsi pas ciklit diellor tregon dhe zbatimin e pavetëdijshëm mbarëpopullor të një kalendari të vjetër në rite pagane, i cili pavarësisht përpjekjeve për dobësim, mujshim apo zhdukje prej institucioneve fetare apo administrative pushtuese, nëse hetohet me kujdes, ndonëse ende i pazyrtarizuar ruan me ngulm thelbin e vet të pandryshuar që prej lashtësisë.

Festat mbi të cilat ngrihet Hyllvegu janë në dimër: fundshtatori me barasnatën e vjeshtës kur mbahet Plugimi dhe Dita e Bletëve; funddhjetori që vjen me 2 javët e Mesdimrit, Buzmit dhe festës së ujqve. Ato nisin nga data 25 dhjetor e ndjekin solsticin dimëror deri në 6 janar. Festa e njeriut-ujk, Ulknirit, paraqet egërsinë e natyrës në dimër dhe njësohet me djem veshur në lëkurë ujqish që shkaktojnë trazira përgjatë 2 javëve të Mesdimrit – me rrënjë thellë në lashtësinë ilire. Në verë: fundmarsi me Ditën e Verës dhe veroret e vajzave ndjek barasnatën pranverore në 21 të muajit. Në fund të qershorit vijojnë dy javët e Mesverës për solsticin veror me të Korrunat, të Qethat, therjen e bagëtisë, Natën e Verës, Rrëshajën e gjarpërinjve dhe në të parat e korrikut buçasin festimet e kultit të Diellit me zjarrndezje në majat e larta malore gjatë natës dhe zjarret e tymit në fusha.

Viti në Hyllveg ndjek kalendarin e sotëm e nis më 1 janar dhe mbaron në 31 dhjetor, por ka vetëm dy stinë, verën dhe dimrin. Vera nis me barasnatën e 21 marsit dhe mbaron në barasnatën e 23 shtatorit. Që prej aty e në mars gjysma tjetër e vitit është dimër. Në dy solsticet Hyllvegu shënon dy festat e mëdha të Mesverës dhe Mesdimrit. Renditja e muajve ecën gjithashtu sipas kalendarit të sotëm duke ruajtur dhe të gjithë rregullat e tjera të tij.

Festimet kryesore

2 javë të Mesdimrit dhe Ulknirit

25 dhjetor – Kërshëndellat (22), Buzmi I
1 janar – Kryeviti, Motmoti, Viti i Ri, Buzmi II
6 janar – Beniku, Buzmi III

21 mars – Dita e Verës, Veroret, Dita e Luleve

(Plakat)

2 javë të Mesverës, të Korrunat, Dielli

24 qershor – Nata e Verës, Të Korrunat, Të qethat
1 korrik – Rrëshajat, Dielli
6 korrik – Dielli

23 shtator – Dita e Dimrit, Dita e Bletëve, Plugimi

Sipas këtij caktimi të praktikës kombëtare gjatë shekujve, duke ndjekur ciklin diellor, edhe shpërndarja festive bëhet e vetëkuptueshme. Me ndarjen dystinëshe, Mesdimri dhe Mesvera bien në mes të stinëve të Hyllvegut, dhe dallojnë nga përkatëset e Bujkut me rreth 45 ditë, për shkak se i fundit feston në ciklin e tokës.

Shkëputmas pjesërisht nga karakteri bujqësor, në Hyllveg merret parasysh ana tradicionale dhe funksioni i festave në ditët e sotme. Në vijim të kësaj renditjeje çdo krahinë shqiptare ka dhe festa të tjera lokale që ndjekin veçoritë dhe doket e krahinës.


http://www.vargmal.org

Ndiqeni

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.