Diktatura e ndritur e Neoshqiptarve

Në vitet 30-të krahas rrymës zogiste, e cila shprehte interesat e shtresave në fuqi, dolën në arenën e luftës ideologjike edhe disa rryma të tjera me ngjyrë borgjeze që përfaqësoheshin nga grupe intelektualësh borgjezë. Të tilla ishin ideologjia e “të rinjve” apo e “diktaturës së ndritur”, si dhe ajo e “neoshqiptarizmës”.Këto shprehën interesat e borgjezisë, e cila në këtë periudhë bëri përparime në fushat ekonomike dhe politike dhe kërkonte të forconte më tej pozitat e saj përballë klasës së bejlerëve çifligarë që kishin ende peshë të ndjeshme në jetën e vendit e sidomos përballë lëvizjeve të masave popullore e të rretheve demokratike që i rrezikonin këto pozita. Borgjezia shqiptare, nuk ishte aq e fortë ekonomikisht dhe politikisht, sa të mënjanonte klasën çifligare. Ajo nuk ishte në gjendje të shkatërronte marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore që kishin krijuar bejlerët dhe të krijonte një strukturë të përshtatshme borgjeze. Kritikat ndaj bejlerëve u shprehën në ideologjinë borgjeze, ku “orientalizmi” shikohej si një plagë prapambetjeje dhe perëndimi lavdërohej dhe duhej marrë si model për Shqipërinë.Por, borgjezia e dobët parapëlqeu rrugën e zhvillimit të ngadalshëm kapitalist pa konflikte shoqërore. Në këtë rrugë kishte hyrë edhe ekonomia çifligare edhe pse ruante ende mbeturina të sistemit të vjetër. Borgjezia ishte për një farë kompromisi me çifligarët për të përballuar lëvizjet revolucionare, për të ruajtur statuskuonë e rendit çifligaro-borgjez, stabilitetin shoqëror. Në kuadrin e këtij rendi dhe në përputhje me forcimin gradual të pozitave të veta ekonomiko-shoqërore, borgjezia u mundua të rriste ndikimin edhe në shtet, në qeverisjen e vendit, gjithashtu të bënte të mbizotëronte kultura e mentaliteti borgjez (perëndimor). Ajo kërkonte një ndarje më të drejtë të pushtetit me klasën çifligare. Kjo u pasqyrua edhe në ideologjinë e saj. Në këtë ideologji mbizotëroi më shumë ana politiko-kulturore e zhvillimit borgjez, sesa ajo ekonomiko-shoqërore.Regjimi zogist, nën presionin e borgjezisë, mori disa masa në të mirë të saj. Me këtë rast ai forcoi dhe bazën e tij shoqërore. Këto i paraqiti si masa qytetëruese për popullin dhe kombin. Vetë borgjezia shqiptare nëpërmjet ideologëve të saj, idetë dhe përpjekjet për plotësimin e aspiratave të veta i paraqiti si në të mirë të popullit e zhvillimit. Ideologjia borgjeze, pavarësisht nga disa kritika kundër feudalizmit dhe hedhjes së ideve të përgjithshme të përparimit dhe qytetërimit, ishte një ideologji konservatore dhe kundër liberalizmit. Ajo ishte kundër reformimit të bazave të rendit çifligaro-borgjez dhe kundër rendit demokratik. Konservatorizmi i saj u shpreh ndër të tjera në sigurimin e progresit me anë të kompromisit çifligaro-borgjez, me anë të konformizmit politik me regjimin si dhe me anë të zhvillimit të ideve, të evoluimit të mentalitetit. Kjo borgjezi ishte kundër lëvizjeve popullore dhe ideologëve “përparimtarë” që kërkuan të vendosej në Shqipëri rendi “demokratiko-borgjez”. Karakteri konservator i ideologjisë borgjeze të asaj kohe dëshmohet edhe nga ndikimi që pati nga ideologjitë e tjera perëndimore.Rrymat borgjeze përfaqësuan kryesisht idetë e shkollave dhe sistemeve filozofike e sociologjike perëndimore, përfshi dhe ato fashiste. Këto ide përputheshin me aspiratat e interesat e klasës borgjeze shqiptare.“Të rinjtë” të vetëquajtur kështu, sepse u dalluan nga polemika me “të vjetrit” që përfaqësonin klasën çifligare dhe nëpunësit e lartë që rridhnin prej saj. Ata u quajtën në fillim “neoshqiptarë” që ishte e njëjta gjë me “të rinjtë”, por që më pas u quajtën “të rinj” sepse donin të bënin dallim midis “neoshqiptarëve” që drejtoheshin nga Branko Merxhani e shokë.Interesi themelor i “të rinjve” ishte sigurimi i stabilitetit shoqëror përballë luftës së klasave. “Të rinjtë” i shtjelluan idetë e tyre në disa organe si gazetat “Arbëria”, “Rilindja e Arbërisë”, “Vullneti i Arbërisë” dhe revista “Iliria”.Në këtë grup bënin pjesë, Ismet Toto, Nebil Çika, Mehmet Konica, Seit Qemali, etj. Këta filluan aktivitetin e tyre pas shpalljes së monarkisë. Ata ishin kundër “orientalizmit” të vendit dhe klasës që e përfaqësonte. Vendi duhej të drejtohej nga idetë borgjeze. Modelin më të mirë të këtyre ideve dhe të rregullimit shoqëror perëndimor, “të rinjtë” e shikonin tek doktrinat fashiste. “Të rinjtë” kritikonin ashpër “të vjetrit” që cilësoheshin si trashëgimtarë të Turqisë osmane dhe që ishin pjesë e administratës më të keqe në Europë.Kusht për “oksidentalizmin” e vendit ishte përhapja e ideologjisë së re nga elita e kulturuar. Ashtu si dhe “neoshqiptarët”, “të rinjtë” nuk u organizuan në një parti politike, por u përpoqën që politikën borgjeze ta paraqitnin si sferë të ideve të pastra, jashtë interesave të klasave e grupeve të ndryshme.“Të rinjtë” shprehën një sërë pikëpamjesh, të cilat ishin kundër lëvizjeve revolucionare dhe huajtën nga fashizmi urrejtjen për liberalët. Në qendër të tyre ishte ideja e diktaturës së ndritur. Këto pikëpamje pohonin vendosjen e një diktature të tipit fashist në Shqipëri, të një sistemi totalitar, dhe të edukimit të brezit të ri me frymën fashiste, likuidimit të luftës së klasave me metodat fashiste, si dhe krijimit të një elite sipas modelit fashist që do të sundonte mbi popullin. Kjo elitë apo klasë vepruese, do të shërbente si shtylla kurrizore e regjimit. Ideologjia fashiste dhe sistemi fashist duhej të bëheshin pjesë e pandarë e jetës kombëtare.“Të rinjtë” ushqyen përbuzje ndaj masave popullore, i konsideronin të paformuara nga pikëpamja e vetëdijes dhe e kulturës, të paafta për të zhvilluar veprimtari politike shoqërore dhe për t’u përfshirë në jetën kombëtare. Kriter themelor për një vlerësim të tillë merrej ndërgjegjja shoqërore, kultura. Masat punonjëse konsideroheshin pa ndërgjegje politike-shoqërore, e cila iu atribuohej vetëm njerëzve të zgjedhur e me kulturë që ngriheshin mbi turmën dhe e drejtonin atë. Masat nuk duhej të kishin të drejta politike, liria e shtypit në vend duhej t’u garantohej vetëm atyre që dinin ta përdornin. Shtypi duhej të ishte në duart e njerëzve të zotë e të stërvitur, si dhe të pastër e të kulluar, ashtu siç e konsideronin veten të rinjtë.Në Shqipëri nuk duhej të kishte zgjedhje të lira, populli nuk duhej të zgjidhte dhe të zgjidhej lirisht. Zgjedhje nuk duhej të kishte deri sa shtetasit të kishin diplomën e liceut, dhe të ishin njerëz të informuar për punët e shtetit, ashtu siç është një ministër, një deputet apo një gazetar.Ismet Toto i ndante njerëzit në “njerëz që ndjejnë përgjegjësi dhe në ata që nuk ndjejnë”. Njerëzit që ndjenin përgjegjësi për fatet e kombit, që ishin të pajisur me vetëdije të zhvilluar e me kulturë, bënin pjesë në elitën, ndërsa ata që nuk ndjenin ishin shumica e popullit. Këto ide kishin ndikimin e filozofëve të mëdhenj si Tomas Karlajli e Frederik Niçe. Nën ndikimin e këtyre pikëpamjeve, historia e Shqipërisë u trajtua si veprimtari e figurave dhe heronjve të shquar.Disa “të rinj” përshëndetën politikat imperialiste si “Spazio vitale” e “Lebensraum”, për nënshtrimin e popujve. Ata përligjën pushtimin fashist të Abisinisë, sepse popujt e prapambetur e primitivë, këta grumbuj njerëzish pa ndërgjegje, nuk ecnin në një hap me kohën, dhe ishin të destinuar t’i nënshtroheshin vullnetit të kombeve më të forta.“Të rinjtë” shprehën pikëpamjen se diktatura ekzistuese çifligaro- borgjeze duhej të shndërrohej në diktaturë fashiste apo “diktaturë të ndritur”, siç quhej për eufemizëm. Për një shndërrim të tillë duhej mbështetur në përvojën e Gjermanisë naziste dhe të Italisë fashiste. Ky shndërrim do të kryhej brenda kuadrit të monarkisë dhe me ndihmën e mbretit. Këta arsyetonin papërshatshmërinë e regjimit demokratik për vendin; Rrymat revolucionare të proletariatit duheshin frenuar. “Diktatura e ndritur” duhej të formohej nga një elitë intelektuale me synime patriotike e përparimtare, nga njerëz të aftë e të kulturuar, të pajisur me ideale, që duhej të derdhnin energjitë e tyre në shërbim të popullit dhe kombit. Në organizim mendohej të merrej edhe përvoja e Italisë fashiste, por më shumë parapëlqehej përvoja e regjimit nazist. “Të rinjtë” ndienin admirim për organizimin nazist në sferat e ndryshme, për frymën totalitariste të regjimit dhe ndikimin e ideologjisë së tij. Një gjë të përafërt do të dëshironin ta realizonin në Shqipëri duke organizuar ushtarakisht djalërinë në qytete e fshatra, duke krijuar batalionet e “djalërisë shqiptare” që do t’u ngjanin batalioneve të sulmit në Gjermanisë. Në këtë organizim ushtarak mendohej të përfshihej gjithë brezi i ri prej moshës 7 vjeçare deri në moshën 35 vjeçare. Në çdo fshat e qytet duhej të kishte një komandë drejtuese dhe një këshill të zgjedhur prej të rinjve. Në krye të gjithë kësaj strukture duhej të ishte udhëheqësi apo mbreti. Fjala udhëheqës theksohej jo pa qëllim, por në ngjashmëri me titullin “fyhrer” të nazistëve. Në këtë frymë do të bëhej organizimi edhe në sfera e tjera. Sigurisht do të ndiqej dhe shembulli i Italisë fashiste.Fashistizimi i brezit të ri u konsiderua faktor kryesor për vendosjen e diktaturës fashiste. “Të rinjtë” e argumentonin vendosjen e “diktaturës së ndritur” edhe për të eliminuar lëvizjet politike të brendshme, por që qëllimi kryesor ishte siguria për të pasur një zhvillim ekonomik. Vendosja e “diktaturës së ndritur” duhej të ishte e menjëhershme pasi rreziku komunist ishte rritur, Seit Qemali theksonte: “Ata që nuk e duan Shqipërinë nën një diktaturë të djathtë, ta thonë çiltaz që dëshirojnë të mëngjërtën. Të përpiqemi të ngjallim këtu tendencat mesatare që kanë vdekur gjetkë, është një mundim i kotë. Çdo solucion jashtë dy ekstremeve nuk ka stabilitet. Fati e solli të kemi në krye një prijës gjenial, i cili është i zoti të na çojë atje ku janë qytetëria dhe lumturia, po qe se dhe ne i japim ato fuqi që u dhanë Musolinit, Hitlerit…. bashkëatdhetarët e tyre”.“Të rinjtë”, ashtu sikurse “të vjetrit”, kritikat më të mëdha i drejtuan kundër komunistëve. Ndarja e shoqërisë në klasa, lufta e klasave dhe ajo politike u cilësuan si dukuri jonormale që shkaktoheshin nga faktorë subjektivë të brendshëm dhe të jashtëm. Lufta e klasave mbillte anarkinë e demoralizimin në popull, çonte në humbjen e kotë të energjive dhe të vlerave morale të kombit.Ata shprehën se ishin për zhdukjen e “anarkisë së opinioneve” dhe për krijimin e një ideologjie të vetme për të gjithë kombin. Të gjitha klasat pa përjashtim, i gjithë populli duhej të kishin një pikëpamje. Ismet Toto ishte i mendimit se bashkimi i të gjithë popullit, do të bëhej i mundshëm jo vetëm kur të sigurohej paqja klasore, por edhe kur të likuidohej përçarja fetare dhe ndikimi i ideologjisë së klerit mbi popullin. Ai nga faqet e revistës “Iliria”, si dhe me anë të një broshure që botoi në vitin 1934, polemizoi me klerin katolik për problemin e fesë. Toto mendonte se mund të zhdukej përçarja fetare dhe ndikimi i fesë në kushtet e rendit çifligaro-borgjez.Idetë komuniste u konsideruan si produkt i zhvillimit të deformuar të kapitalizmit. Si rrjedhim i disa teprimeve të tij, në vendet kapitaliste, u shkaktua shfrytëzimi i punëtorëve nga komunistët. Kjo prirje nuk ishte një rregull, por një anomali.

Viron Koka, “Rrymat e mendimit politiko-shoqëror në Shqipëri në vitet 30 të shekullit XX”

  1. ……………………..HISTORIA ME E VESHTIRE E SHQIPETAREVE

  2. Hi there, its nice piece of writing about media
    print, we all know media is a wonderful source of facts.

  1. No trackbacks yet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: