Për një “politikë popullsie”

Ismet TOTO,

Demografia, ose “politika e popullatës”, si e quajnë tashti së fundi, është një shkencë më vete dhe, si e tillë, ka ligjet dhe mënyrat e saj. Për të studiuar një shoqëri njerëzore “demografikisht” lypsen njohur një tok elementesh dhe gjendje që shtrihen në “kohë”. Shumica e këtyre, zakonisht përkthehet në shifra. Në Shqipëri mungojnë statistikat dhe studimet për kohën e kaluar prej të cilave do të rezultonte se çfarë është e “përhershme në ndryshuarshmërinë”. E keqja shtohet kur mendojmë se dhe ato pak kartëra që pretendojnë të na japin pasqyrën e realitetit të sotëm, nuk janë të kënaqshme dhe aq më pak, të besuarshme. Regjistrimi i popullsisë që u bë së fundi, ishte një tentativë për të caktuar numurin e banorëve; asgjë më tepër. Në këtë mënyrë, pra, e vetmja gjë që dihet me siguri në rastin tonë, është që popullsia brenda kufive të mbretërisë vërtitet rreth milionit. Njëqind e një pyetjet e tjera që kërkojnë një studim, pak a shumë serioz, mbeten pa përgjigje. Me qenë, pra, se elementet bazale për një studim shkencor mungojnë, është nevojë ta themi që në krye, se qëllimi i këtij artikulli është të tërheqë vëmendjen e klasës studjonjëse shqiptare mbi këtë problem, i cili, pa tjetër, është nga të radhës parë për Kombin.
Vija të trasha
Gjendja jonë e sotme paraqitet origjinale nga shumë pikëpamje. Jemi një popull, pothuaj, parahistorik dhe jemi një shtet i porsalindur. A mund të pretendojmë në një “kulluetesi rraciale”? Me fjalë të tjera e thënë shqip, a jemi të një gjaku? A jemi të një barku? Biologjikisht nuk gjendet asnjë vërtetim. Ngjarjet historike dhe sidomos realiteti i sotëm, dëshmojnë të kundërtën. Nëqoftë se Myzeqeja paraqet një heterogjenitet të madh nga pikpamja e rracës, edhe të famshmet malësi, nuk japin asnjë garanci për thjeshtësinë e tyre. Ku më shumë e ku më pak, vihet re se rraca jonë është kryqëzuar me të tjera, në mos fare e zëvendsuar. Si do që të jetë e vërteta, nuk është nevojë të qëndrojmë shumë mbi këtë pikë. Puna e rracës është një “sentiment” dhe jo nje “realitet”. Pikërisht kështu është dhe puna e gjuhës. Perandoria Austro-Hungare nuk u përmbys, sepse kish shumë rraca dhe shumë gjuhë brenda. Zvicra e sotme qëndron dhe lulëzon pikërisht sepse populli i saj flet tri gjuhë dhe u përket tri rracave të ndryshme. Tani ka shumë kohë që janë kthyer përsëprapthi shumë koncepsione. Nasionalizma nuk mbështetet me vetëm mbi “Rracë” dhe “Gjuhë”. Nga pikpamja biologjike, popullin tonë do ta ndajmë në trish: Veriu, Juga, dhe Mesi, që përmbledh krahinat Berat, Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Përgjithësisht populli ynë është shumë riprodhonjës. Burrat janë të fuqishëm si meshkuj dhe gratë janë pjellore të mira. Fakti që s’jemi shumuar dhe që s’po duken shenja të mira edhe sot e gjithë ditën, se do të shumohemi, i detyrohet ekskluzivisht pamundësisë dhe pazotësisë për rritjen e atyre që lindin, një pjesë e madhe e të cilëve, evidentërisht, vdes në moshë të njomë. Mbasandaj vjen çështja e sëmundjeve dhe më në fund varfëria ekonomike. Ka mjaft arësye të besohet se popullsia e Jugës qëndron në shkallë të dytë nga pikpamja e riprodhimësisë. Në krye qëndron ajo e Veriut, e cila, pa pikë dyshimi, paraqitet edhe më e sakta nga pikpamja fizike. Në është se popullsia e Jugës është shumuar më tepër, kjo i detyrohet avantazheve që ka mbi atë të Veriut nga pikpamja e rritjes së fëmijëve dhe sidokudo nga një superioritet kultural, ekonomik dhe shoqëror. Popullsia e Mesit të Shqipërisë, mund të quhet një përzierje, në të cilën gjenden shumë karakteristika të Veriut dhe të Jugës si nga pikëpamja e rracës, ashtu dhe nga pikëpamja psikologjike. Po të hedhim një vështrim të kujdesshëm mbi karakteristikat shpirtërore të popullit tonë, do të konstatojmë se ndarja e vrazhgët biologjike, që i bëmë arbitrarisht, koincidon plotsisht mirë me disa ndryshime shpirtrore. Ndërsa Malësori i veriut, është krejt verior, i qetë, i mbyllur, konservator i qëndrueshëm dhe i fortë si në punë, ashtu dhe në mendim; burri i Jugës është inteligjent, intuitiv, liberal, impulsiv dhe jo fort i qëndrushëm. Ay i mesit të Shqipërisë ka mundësi të bëjë një sintezë, një fuzion të goditur mirë nga këto influenca të kundërta. Po nuk mjaftojnë këto ndarje, ka edhe një tjetër më me rëndësi. Branko Merxhani e ka qëlluar mirë këtë të fundit me një artikull të tij “Mbi tre Njësitë Biologjike, që kanë krijuar fetë”. Katoliku s’është martuar me myslimankën, ortodoksi me katoliken etj. Pikërisht ashtu siç nuk është martuar Veriorja me Jugorin etj. Gjithë këto ndasi, gjithë këto “frëthe psikologjike” e kanë ndarë botën tonë të vogël në thërrime të veçanta. Nën këto kushte, doemos s’ka se si të shtohet populli ynë; as që është e arsyeshme të presim një homogjenitet rracial dhe një njësi shpirtrore. Mos ushtrimi i “kryqëzimit të lirë” ka qenë fatale për ne. Mbi këtë nuk besojmë të ketë kundërshtim asnjë nga ata që e ndjejnë veten, më parë nga çdo gjë shqiptar.
Megjithkëto të këqija, megjithe këto gardhe e pengime, nuk duhet mohuar se populli ynë nuk është futur akoma në fazën e dekadencës absolute. Është, na duket, në një gjendje “stasionare” dhe ruan mirë burërrinë që e karakterizon. Sikur të mos rëndonin mbi ne kaq shumë varfëria ekonomike, sëmundjet e ndryshme dhe një lloj mode, që po përhapet për të mos u martuar (!), demografikisht ne do të ndodheshim duke ikur në të “përpjetë” .
Politika e popullsisë
Për shumë kohë ka mbretëruar në këto punët e demografisë, e ashtuquajtura politikë e “laissez faire” -it. Siç e thotë dhe vetë fjala kjo nuk është një politikë. Kësaj i thonë indiferencë. “Lëri punët të ikin natyrshëm, se ashtu është më mirë”. Kjo teori u predikua nga shkolla liberale kozmopolite u përqafua me gëzim nga shumë qeveri, që s’kishin qejf të kenë mbi krye problemet e rënda të demografisë. Sepse këto çështje nuk interesojnë popullin e sotëm dhe çdo qeveri kërkon, më parë nga të gjitha, që shikohet me sy të mirë nga ata që i japin vetëm dhe të hollat! Vetëm ata kombe, që kanë qeveritarë të mëdhenj, njerëz që i tremben gjyqit të historisë, vetëm ata shohin dhe mendojnë se ku do të ndodhen mbas 50 vjetësh. Askush më tepër se ne shqiptarët nuk ka nevojë të mendohet dhe të përkujdeset për këto punë. Për shtimin e popullsisë sonë na duhet ndjekur një politikë popullsie dinamike në shkallën më të lartë. Nga çdo kënd që të shikojmë gjendjen tonë, dhe sidomos nga pikpamja ekonomiko-politike. Përnjëherësh kemi përshtypjen se e keqia qëndron në themel: jemi pak si numur dhe nuk po ecim në udhën e një zhvillimi intensiv dhe harmonik, që ka si përfundim formimin e një populli kompakt nga të gjitha aspektet. Por, sidomos çështja e numurit, është me të vërtet tmerronjëse. Ç’mund të bëjmë? Mund të bëhen shumë gjëra. Duke rrahur mendimet ose më mirë duke filluar praktikisht nga puna, do të gjenden mënyra dhe mjete për të realizuar shumë. Përfitojmë nga ky rast dhe konkretizojmë disa mendime:
l.Taksimi i beqarëve.- Në disa nga shtetet e kontinentit europian është duke u zbatuar një ligjë që takson njëzetvjeçarët e pamartuar. Një gjë të tillë mund ta bëjmë dhe ne që kemi nevojë të shtohemi, fjala vjen, më tepër se Italia. Çdo beqar taksohet si mbas gjendjes së tij ekonomike. Katundari i varfër me 20 fr., në vit, i pasuri me 400. Italia nxjerr plot 110 milion liretta në vit nga zbatimi i këtij ligji. Tërë kjo shumë përdoret për rritjen e jetimëve. Prapë me anë të këtij ligji caktohen çmime dhe dhurata për prindërit, që rrisin një numur të madh fëmijësh. Ka një tok mënyra për propagandë dhe inkurajim në punën e shtimit të popullsisë. Duhet vënë tërë fuqia për çrrënjosjen e disa paragjykimeve, që folëm më sipër. Duhet bërë e gjithë propaganda, që është e mundur, që të martohen veriorët me jugorët, muslimanët me të krishterët etj. Duhet të jemi krejt intransigjent kundër disa fetarëve, që trazohen në këto punë, të cilat kanë të bëjnë me interesat vitale të kombit. Ne durojmë vetëm një frëth: shqiptarizmën. Ata që kërkojnë të na vënë tjetër, marrën shqelmë. 2.Ku jemi dakord se na mungojnë fonde?.. -Në shkallen e dytë vjen përnjëherësh çështja e shërbimit të shëndetësisë, e cila ngjer sot përbën një sëmundje në vetvete. Sëmundjet e ndryshme po korrin triumfalisht pa gjetur asnje gur në udhë. Korrin të rritur nga mosha, korrin foshnja në një masë tmerrësisht të madhe. Duket se të gjithë jemi dakord, që na mungojnë fondet për të bërë vepra të mëdha në lëmin e organizimit të shërbimit të shëndetësisë! Dhe harrojmë se e gjithë zotësia dhe i gjithë marifeti qëndron tek të realizuarit shumë pa pasur miliona në dispozicion! Në Shqipëri, kemi nevojë për njerëz, që të bëjnë punë pa pretenduar të bëjnë not në mes të fondeve; njerëz me gjoks të fortë, njerëz, që të kenë bindjen se do t’ia dalin në krye qëllimeve, edhe kur të mos t’i kenë të kompletuara; si ç’duhet, mjetet dhe veglat. “Atje ku ka një vullnet, ka dhe një posibilitet” thotë englezi. 3.Instalime me mend.- Në shkallën e tretë vjen çështja e kosovarëve dhe e çamëve. Në është e vërtetë, se për disa arësye politike na duhet të mos inkurajojmë zbrazjen e Kosovës dhe të Çamërisë, të paktën, ata që janë të shtrënguar të vijnë në Shqipëri duhet t’i instalojmë mirë dhe në vende të arsyeshme. Për shembull, çamerit, me sa të jetë e mundur në Veri dhe kosovarët në Jug. Autoritetet e vendit duhet të interesohen, që këta të lidhin miqësira me anën e martesave. Kësaj çështjeje i duhet dhënë një rëndësi e veçantë për shumë arsye, që s’duhen përmendur këtu. Shkurt, është besimi ynë se qeveria jonë ka në dorë shumë. Mund të bëjë që brenda pak vjetëve, të rrojnë 2 milionë shqiptarë të shëndoshë në vendin tonë. Dhe sapo të kemi marrë një herë të përpjetën, ikim vetë pastaj. Me pak shpenzime të kota për gjëra e vepra të pakuptimta dhe më tepër qejf për punë serioze dhe substanciale si këto. Kjo është receta magjike për ata, që duan të pavdekësojnë emërat e tyre.

Botuar më 1930

  1. I’ve read some good stuff here. Definitely worth bookmarking for revisiting.
    I wonder how so much attempt you set to make this sort of
    excellent informative web site.

  1. No trackbacks yet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: