Kurajo!

Si qëllim të përfundëshmë të përpjekjevet kombëtare-shoqërore të Tendencës Neo-Shqiptare, që përkrahim ne, mundemi të pranojmë këtë princip.
Krijimi i një Shqipërie brenda të pa-kufishme, jashtë të kufizuar.
Krijimi i një Shqipërie! Është lodhje, dëshpërim dhe pa qëllim të kthejmë sytë në gërmadhat e skllavërisë dhe në mjerimet që na la trashëgim e shkuara. Ky vështrim nga prapa është një gjë monstruoze. Syt t’ona, të drejtuara nga prapa, nuk do të takojnë veç se një gjurmë tepër të madhe shkatërrimi, shenja të pa-numërta kalbësimi, britma të dëshpëruara njerëzish dhe epokash. Dhe të gjitha këto të mbështjellura gjithëmonë brenda në një mjergullë të trashë. S’ka gjëkundi as pikë jete dhe shprese.
Po ka dhe një drejtim të përkundërtë. Drejtim që zë të Vjetërën me të Renë. E Arthmja!
E vetmja rreze shprese dhe shpëtimi për fatin shqiptar. Mundet që një ditë të shkëlqejë me takimin e një agimi plot gëzime, agim i cili do të faqet bashkë me sgjuarjen e Jetës së Re. Po vetëm sy guximtarë, shpirtra plot dashuri dhe ballëra të ndritura e të gëzuara do të mundin të gëzojnë kryelartësinë dhe madhërinë e kësaj jete. Shqipëria e mendimit dhe e ndjenjës, Shqipëria e vërtetë nuk gjendet nga prapa, po përpara neve!…
Dhe në qoftë se nuk do të mundemi të shtiem sytë t’ona në këtë drejtim, në qoftë se nuk do të marrim dot vesh thellë-thellë kuptimin e këtij orientimi krijonjës; domethënë, në qoftë se nuk e ndjejmë realitetin e jetës kombëtare-ahere është e humbur çdo përpjekje, është e kotë çdo dëshirë që të qëndrojmë si një unitet shoqëror i lirë dhe i lumtur brenda në sukseset përparimtare fantastike dhe të pa-arritshme të qytetërimit të shekullit të sotmë!

***
Shënja shquarëse e Neo-Shqiptarismës, kondita e parë e ekzistencës së saj është kurajua mendore. Për këtë them se Djalëria, e cila ka për detyrë të japë shërbimet e saj në luftën e lartësimit shoqëror dhe të zhvillimit qytetëronjës të vendit duhet që pikë-së-pari të tregojë fuqin e superioritetit mendor dhe të ketë kurajën të përballë të vërtetën e jetës kombëtare ashtu siç është në realitet dhe t’u a çfaqë të tjerëve krejt lakuriq.
Lamë të shkojë shumë kohë, duke përgëzuar ambiciet historike me fluturat prallore. Po kombet që na kanë rrethuar nga të gjitha anët dhe me të cilët na lith afro po një fat historik, na kanë lënë të paktën një shekull prapa. Me gjithë këtë as nonjë nga ne s’ka treguar gjer sot kurajo mendore, që të na shpjegojë arsyet e vërteta dhe shkencore që shkaktuan këtë fakt të hidhur. Nuk janë të paktë ata që shohin, si të vetme arsye historike të fatkeqësisë s’onë të sotme, periodat e gjata të sundimit të huaj, që kaloi populli ynë. Për fat të keq, ky shpjegim nuk është një shkak, është një përfundim..
Mos jemi vallë në botë i vetmi popull, i cili, në peripetin e udhëtimit të tij historik, ra nga skllavëria në skllavëri, nga tirani në tiran?
Ja, krahas me neve një botë e tërë, e cila shpëtoi dhe u tregua për hir vetëm të shkeljes turke!…Themelonjësi i shkollës Evrasiatike Princi rus Troubeskoi, që sot quhet si një nga hegjemonët e shkëncës, thotë diku:
“Sundimi i huaj përbën për popujt një shkollë”.
Kjo është e vërteta. Historia jonë nuk është veç se një vazhdim besnik i peripecive të çfarëdosojme të sundimit të huaj. Po ne u treguam nxënës të keq. Nuk kemi mësuar as letrën A!…
***
Nga organizma jonë shoqërore mungon një gjë e doemosme, le t’a emëroj sot: Faktori kryesor i shpiritës shoqërore, idealizma krijonjëse, kuraja mendore, devocioni për realitetin kombëtar!
Kurajua është arma më e çmuar e përparimit. Gjurmimi i së vërtetës, Shkenca, nuk kuptohet pa kurajon. Brënda në luftën e vrazhdë dhe të pamëshirëshme të jetës së sotme jemi të ekspozuar në një rrezik të math. Dhe vetëm kur të kuptojmë gjithë tmerrin dhe gjithë shkatërrimin që do të shkaktojë ky rezik, ahere vetëm do të mundemi të themi se hodhëm të parin çap të shëndoshë përpara, për shpëtimin.
Në “Gotzendammerung” Nietzche shkruan:
“Kombet, që kishin një farë vlerë ose fituan një farë vlere, këtë gjë s’e arritën me Institucionet Liberale. Reziku i math i lartësoi kombet. Reziku, të cilit i detyrojmë mirënjohsi, i shton mjetet e rezistencës s’onë, çfaq viruset t’ona, shpërndan në zëmrat t’ona kurajo, jep armë në duart t’ona dhe sbulon përnjëherësh vlerat e pa-njohura mendore, që flënë brenda nesh. Reziku na shtrëngon të jemi të fortë”.
Megjithë fuqin e zërit t’im dua të flas brenda shpirtrat e Djemve t’onë këto fjalë të arta të krijonjësit të “Ubmerensh”-it. Para gjithash të gjurmojmë shkaket historike dhe sociologjike të dekadencës s’onë shoqërore. Me kurajo. Dhe ahere do t’i hapin sytë popullit t’onë. Dhe do të faqet reziku i math i gjallë. Reziku, që breth reth e rotull nesh, në krah t’onë, brenda nesh, si nonjë shtazë e uritur!…

Branko Merxhani
Botuar më 1929

  1. No trackbacks yet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: