Arkiv për Shtator, 2007

Hyjnitë tona

Redoni

Hy qendror, ndoshta më kryesori te ilirët e periudhës qytetare e të lulëzimit të shtetit ilir. Për të ruhet dhe rafigurimi ikonografik në formën e një djaloshi me një kapele të tipit “kausia”, të dhënë në profil. Portreti shoqërohet me figurën e lembës ilire e me delfinin si atribute të hyjnisë. Kështu është dokumentuar në monedhat e Shkodrës dhe të Lisit, karakterin e përcaktimin e këtij hyu e bëri arkeologu H. Ceka. Është hyu zyrtar, me sa duket suprem i shtetit ilir të kohës së Gentit. Mbas shkatërrimit të shtetit ilir, kulti i Redonit mbijeton në territoret bregdetare e dëshmohet edhe në shekujt e parë të erës sonë.Kemi hedhur mendimin se nuk është vetë hyu i detit, por diçka më shumë dhe patjetër ka qenë lidhur dhe me kultin e familjes mbretërore ilire jo vetëm të kohës së Gentit, por edhe më përpara.Fakti që emrin e këtij hyu e gjejmë dhe si toponim gjeografik të Kepi i Redonit, në veri të Durrësit, lë të mendosh se këtu duhet të kërkojmë edhe një vend kulti të tij ndoshta të hapur, në natyrë.

Medauri

Ishte hyu ilir i luftës. Edhe ky shumë i rëndësishëm. Një qendër e kultit të Medaurit është Rizoni, por ndoshta dhe varret monumentale në Selcën e Poshtme ku janë të skalitura atributet e hyut, siç janë mburoja ilire me rrathët e saj koncentrike karakteristikë dhe përkrenarja. Gjithashtu, këto atribute dalin edhe në numizmatikë. Edhe për këtë hy kemi një paraqitje ikonografike. Ai është një hy kalorës. Paraqitet i hipur në kalë, me shtizën në dorën e majtë. Në skenën e njohur të paftës së Selcës së Poshtme, në fakt, te kalorësi (që ka pas shpinës gjarprin dragua) kemi Medaurin. Në këtë skenë kulti i Medaurit është i lidhur me kultin e ujërave (figura e gjarprit – monstër detar, e peshkut etj.) pra me kultin e vetë Redonit.
Nuk dimë me saktësi midis këtyre hyjnive: kanë paritet apo marrëdhënie hierarkike midis tyre. Një gjë është e sigurt: të dyja këto hyjni kanë bashkëjetuar dhe kanë qenë në krye të vendit në panteon.

Në lidhje me natyrën e hyut kalorës Medaur duhet thënë se studiues të ndryshëm kanë parë në të një variant ilir të kultit të “kalorësit trak” ose dhe të “kalorësve danubianë”.

Ka edhe mendime se në skenën me dy kalorës përballë, si te pafta e Selcës së Poshtme apo në brezat e Gostilies duhen parë dhe prototipat më të vjetër të Kultit të Dioskurëve, që paraqiten ikonografikisht si kalorës.

Medauri në realitet ka identitet ilir. Ai është një hy i veshur me armaturë tipike ilire, ndryshe nga kalorësi trak, – kalorësit e stelave danubiane apo Dioskurët, kalorës të dorëve.

Medauri dhe Redoni kanë emra etnikisht ilirë.

M.Zeqo, “Panteoni ilir”, 1995

Advertisements