Archive for the ‘ Feja e shqiptarit ’ Category

Hyjnitë tona

Redoni

Hy qendror, ndoshta më kryesori te ilirët e periudhës qytetare e të lulëzimit të shtetit ilir. Për të ruhet dhe rafigurimi ikonografik në formën e një djaloshi me një kapele të tipit “kausia”, të dhënë në profil. Portreti shoqërohet me figurën e lembës ilire e me delfinin si atribute të hyjnisë. Kështu është dokumentuar në monedhat e Shkodrës dhe të Lisit, karakterin e përcaktimin e këtij hyu e bëri arkeologu H. Ceka. Është hyu zyrtar, me sa duket suprem i shtetit ilir të kohës së Gentit. Mbas shkatërrimit të shtetit ilir, kulti i Redonit mbijeton në territoret bregdetare e dëshmohet edhe në shekujt e parë të erës sonë.Kemi hedhur mendimin se nuk është vetë hyu i detit, por diçka më shumë dhe patjetër ka qenë lidhur dhe me kultin e familjes mbretërore ilire jo vetëm të kohës së Gentit, por edhe më përpara.Fakti që emrin e këtij hyu e gjejmë dhe si toponim gjeografik të Kepi i Redonit, në veri të Durrësit, lë të mendosh se këtu duhet të kërkojmë edhe një vend kulti të tij ndoshta të hapur, në natyrë.

Medauri

Ishte hyu ilir i luftës. Edhe ky shumë i rëndësishëm. Një qendër e kultit të Medaurit është Rizoni, por ndoshta dhe varret monumentale në Selcën e Poshtme ku janë të skalitura atributet e hyut, siç janë mburoja ilire me rrathët e saj koncentrike karakteristikë dhe përkrenarja. Gjithashtu, këto atribute dalin edhe në numizmatikë. Edhe për këtë hy kemi një paraqitje ikonografike. Ai është një hy kalorës. Paraqitet i hipur në kalë, me shtizën në dorën e majtë. Në skenën e njohur të paftës së Selcës së Poshtme, në fakt, te kalorësi (që ka pas shpinës gjarprin dragua) kemi Medaurin. Në këtë skenë kulti i Medaurit është i lidhur me kultin e ujërave (figura e gjarprit – monstër detar, e peshkut etj.) pra me kultin e vetë Redonit.
Nuk dimë me saktësi midis këtyre hyjnive: kanë paritet apo marrëdhënie hierarkike midis tyre. Një gjë është e sigurt: të dyja këto hyjni kanë bashkëjetuar dhe kanë qenë në krye të vendit në panteon.

Në lidhje me natyrën e hyut kalorës Medaur duhet thënë se studiues të ndryshëm kanë parë në të një variant ilir të kultit të “kalorësit trak” ose dhe të “kalorësve danubianë”.

Ka edhe mendime se në skenën me dy kalorës përballë, si te pafta e Selcës së Poshtme apo në brezat e Gostilies duhen parë dhe prototipat më të vjetër të Kultit të Dioskurëve, që paraqiten ikonografikisht si kalorës.

Medauri në realitet ka identitet ilir. Ai është një hy i veshur me armaturë tipike ilire, ndryshe nga kalorësi trak, – kalorësit e stelave danubiane apo Dioskurët, kalorës të dorëve.

Medauri dhe Redoni kanë emra etnikisht ilirë.

M.Zeqo, “Panteoni ilir”, 1995

Kalendari i sotëm pagan

hyllveg51.gif

Kalendari i sotëm pagan, është kalendari kombëtar që praktikohet nga pothuaj të gjithë shqiptarët, por shumë prej nesh pa e ditur ende arsyen e vërtetë pas festimeve që përfshihen në të. Çfarë kuptimi kanë veroret, plugimi, festivalet e luleve, rrëshajat, zjarret malore, buzmi, kërshëndellat, ujqit, viti i ri e shumë të tjera që janë festa mbarëkombëtare?Fshehur nën veshje të huaja me disa emra të ndryshuara me dhunë, festat që mbahen me kryeneçësi prej të gjithë nesh, pa dallim krahine apo ideje, janë festat e lashta ilire të cilat aspak rastësisht vazhdojnë të ndjekin këmba-këmbës ciklin e diellit dhe luhatjet e këtij. Hyllvegu është emri i ri vargmalas i këtij kalendari të lashtë e të pavdekshëm e do të thotë veg i Hyllit, punishte e Yllit, punishte e Diellit.

Duke u nisur nga të dhënat e mjafta rreth veprimtarive festive (shiko rrethin e blertë), drejtimet kryesore të tij në ciklin diellor janë si vijon:

Hyllvegu

Viti: 12 muaj / 365 ditë (366 një herë në katër vjet)
Muaji: 30-31 ditë (shkurt 28-29)
Java: 7 ditë (e hëna e para)
Dita: 24 herë (12 herë ditë, 12 herë natë)

Hyllvegu është standardizim i kalendarit festiv shqiptar sipas cikleve diellore. Duke vrojtuar modelin e festave shqiptare të shpërndara gjatë vitit vihet re se ato kryhen sipas një rregullsie që ndjek ciklin diellor. Kjo rregullsi pas ciklit diellor tregon dhe zbatimin e pavetëdijshëm mbarëpopullor të një kalendari të vjetër në rite pagane, i cili pavarësisht përpjekjeve për dobësim, mujshim apo zhdukje prej institucioneve fetare apo administrative pushtuese, nëse hetohet me kujdes, ndonëse ende i pazyrtarizuar ruan me ngulm thelbin e vet të pandryshuar që prej lashtësisë.

Festat mbi të cilat ngrihet Hyllvegu janë në dimër: fundshtatori me barasnatën e vjeshtës kur mbahet Plugimi dhe Dita e Bletëve; funddhjetori që vjen me 2 javët e Mesdimrit, Buzmit dhe festës së ujqve. Ato nisin nga data 25 dhjetor e ndjekin solsticin dimëror deri në 6 janar. Festa e njeriut-ujk, Ulknirit, paraqet egërsinë e natyrës në dimër dhe njësohet me djem veshur në lëkurë ujqish që shkaktojnë trazira përgjatë 2 javëve të Mesdimrit – me rrënjë thellë në lashtësinë ilire. Në verë: fundmarsi me Ditën e Verës dhe veroret e vajzave ndjek barasnatën pranverore në 21 të muajit. Në fund të qershorit vijojnë dy javët e Mesverës për solsticin veror me të Korrunat, të Qethat, therjen e bagëtisë, Natën e Verës, Rrëshajën e gjarpërinjve dhe në të parat e korrikut buçasin festimet e kultit të Diellit me zjarrndezje në majat e larta malore gjatë natës dhe zjarret e tymit në fusha.

Viti në Hyllveg ndjek kalendarin e sotëm e nis më 1 janar dhe mbaron në 31 dhjetor, por ka vetëm dy stinë, verën dhe dimrin. Vera nis me barasnatën e 21 marsit dhe mbaron në barasnatën e 23 shtatorit. Që prej aty e në mars gjysma tjetër e vitit është dimër. Në dy solsticet Hyllvegu shënon dy festat e mëdha të Mesverës dhe Mesdimrit. Renditja e muajve ecën gjithashtu sipas kalendarit të sotëm duke ruajtur dhe të gjithë rregullat e tjera të tij.

Festimet kryesore

2 javë të Mesdimrit dhe Ulknirit

25 dhjetor – Kërshëndellat (22), Buzmi I
1 janar – Kryeviti, Motmoti, Viti i Ri, Buzmi II
6 janar – Beniku, Buzmi III

21 mars – Dita e Verës, Veroret, Dita e Luleve

(Plakat)

2 javë të Mesverës, të Korrunat, Dielli

24 qershor – Nata e Verës, Të Korrunat, Të qethat
1 korrik – Rrëshajat, Dielli
6 korrik – Dielli

23 shtator – Dita e Dimrit, Dita e Bletëve, Plugimi

Sipas këtij caktimi të praktikës kombëtare gjatë shekujve, duke ndjekur ciklin diellor, edhe shpërndarja festive bëhet e vetëkuptueshme. Me ndarjen dystinëshe, Mesdimri dhe Mesvera bien në mes të stinëve të Hyllvegut, dhe dallojnë nga përkatëset e Bujkut me rreth 45 ditë, për shkak se i fundit feston në ciklin e tokës.

Shkëputmas pjesërisht nga karakteri bujqësor, në Hyllveg merret parasysh ana tradicionale dhe funksioni i festave në ditët e sotme. Në vijim të kësaj renditjeje çdo krahinë shqiptare ka dhe festa të tjera lokale që ndjekin veçoritë dhe doket e krahinës.


http://www.vargmal.org

Dita e Veres

C’eshte Dita e Veres? Eshte dita ne te cilen stergjysherit t’ane, kur s’kish lindur edhe krishterimi, kremtojin bashke me Romanet dhe me Greket e Vjeter, perendit’ e luleve, te shelgjeve, te krojeve. Kur ckrin dimeri, kur qaset Vera buzeqeshur e holle dhe e gjate si ne piktyre te Botticelli, zemra e njeriut cgarkohet nga nje bare, shijon nje qetesi, nje lumtesi t’emble. Ne kete gezim, stergjysherit t’ane ndiejin nje detyre t’u falen perendive qe sillnin keto miresira. Dhe ashtu leu festa hiroshe qe quajme Dit’ e Veres.

Ne pake dite, ne Shqiperi, besniket e funtme te paganismit, besnike pa dashur dhe pa ditur, do t’rethojne me verore deget e thanave, te dellinjave, te dafinave, te gjithe shelgjeve te nderuara. Do t’ keputin dege te gjelbera dhe do t’i vene permbi dyert e shtepive dhe t’odave.

Te mos i leme te humbasin keto festa te vjetera te races s’one. Nuk i bejen dem njeriu. Sjellin nje gezim te kulluar ne shtepite. Ne nje vent ku jeta e te vegjelve eshte aq trishte, djelmuria dhe vajezat kane nje rase te ralle per te defryer. Per te medhenjte, Dita e Veres ka nje shie poetike te holle e te rralle.

 

Faik Konica