Archive for the ‘ Mendime ’ Category

Shkenca do të zëvendësojë të mbinatyrshmin

Nga:
Ismet Toto

Shkrimi është pjesë e polemikës së Ismet Totos me françeskanët Harapi e Fishta gjatë vitit 1934 në shtypin e kohës. Këtu është marrë nga përmbledhja “Bota e një djali kryengritës”, Toena, Tiranë, 1997

 

Nga shënimet e shkurtëra, që bëmë më lart, duket sheshit se evolucioni që bëri idea e perëndisë që nga njeriu primitiv e gjer tek Krishti, është i madh. Idea e zotit, duke dalë nga qarku i ngushtë i familjes, mbasandaj tribus, mbasandaj rracës, tani mori një formë universale. Zoti është tashti ati i gjithë njerëzimit dhe nuk shembëllen e as identifikohet me ndonjë gjë që mund të konseptojë truri i njeriut. Në këtë mënyrë vërtetohet teza, që zoti është një krijesë e mendjes njerëzore, sepse, siç u provua, duke u zgjeruar horizonti i mendimit të njeriut, ndërron formë dhe idea e zotit. Dhe sa më tepër ndërron formë e largohet nga jeta e përditshme, aq më tepër përparojnë e zhvillohen njerëzit, aq më pak e ndjejnë nevojën e zotit.

Mirëpo institucionet fetare kanë qëndruar më këmbë dhe ushtrojnë edhe sot një farë autoriteti në turmat e pazhvilluara të çdo populli. I gjithë përparimi në shkencë dhe në dituri, nuk ka mundur akoma të thyej definitivisht autoritetin e këtyre institucioneve. Po kjo nuk do të thotë se nuk do ta thyej një ditë.

Sot, një statistikë amerikane vërteton, çdo foshnje, çdo grua e çdo burrë amerikan ka në shërbim të tij një energji prej 50 skllevërish, po të llogaritet fuqia lëvizëse e motorëve që përdoret në atë vend për prodhimin e komoditeteve të ndryshme. Kjo nuk është një dhuratë e fesë, por rezultat i luftës, që iu bë asaj. Njeriu modern mblodhi lotët e derdhur nga ata që vuajnë aq shumë persekusionet e ndryshme të mesjetës fetare, i ktheu në avull dhe krijoi makinën lëvizëse, e cila bën të gjitha punët (Mbase një ditë do të bëjë dhe atë të mendimit!). Njeriu modern mori një grusht baltë nga varri ku shtrihen kockat e martirëve të mendimit të lirë dhe mbrujti teleskopin, me anën e të cilit shikon dhe studion thellësitë e qiejve, milionat e botëve, nebulave, galaksive, që na rinë reth e rotull dhe, për fat të keq, as në ato largësira nuk e gjen perëndinë krijuese të fetarëve primitivë!

P. A. Harapi e di më mirë nga unë, që shkenca po zëvendëson të mbinatyrshmen. Unë besoj se jo një njeri laik çfarëdo, por edhe P. A. Harapi vetë, kur i dhëmb koka ose kur e zënë ethet, nuk shkon të bëjë lutje apo sakrifica në altar, por thërret mjekun dhe i kërkon barna. Edhe në qoftëse ndonjë tronditje a shqetësim në sistemin nervor, do të bënte më mirë të shkonte tek S. Freud ose A. Adler, sesa të binte përpara ndonjë statuje, që simbolizon ndonjë shenjtor, të cilin populli i vogël e beson se bën mrekulli, mund të lëvizë sytë, dorën e ku di unë!…

A beson P. A. Harapi, se një statujë çfarëdo, e bërë nga baltë ose nga mermer, mund të bëjë mrekullira? Të lëvizë dorë e këmbë? Çfarë intelektualizme dhe adhurimi për shkencë shet në “Hyllin e Dritës” dhe çfarë thot për statujën, që lëviz, kur ndodhet përpara plakave, pleqve e foshnjave, që frekuentojnë kishën!?…

Nuk ndjej aspak nevojën të zgjatem në këtë pikë. Sot në vend të mrekullive dhe çudive të teologjisë, shkenca na jep ligjet e gjithësisë. Në vënd të magjisë, kemi kiminë e fizikën. Për krijimin e njeriut e të tokës, kemi zbulimet e ndritura dhe të arsyeshme të evolucionit dhe gjeologjinë. Për vizitat e djallit në tokë, na kemi mjete që luftojnë insektet dhe mikrobet. Është shkenca e vrazhdë, materialiste, që na shpie përtej errësirës në dritë. Vetëm shkencëtari, i cili mundohet të përshtatë njerëzimin te Gjithësia dhe Gjithësinë te njerëzimi, do prodhojë më në fund kryeveprën e imagjinatës njerëzore. Dhe kur të vijë ajo ditë, profeti dhe artisti do të mbeten të turpëruar…

Prandaj qytetërimi i sotëm është tokësor. Fakti që kleri i organizuar kërkon të thotë se ai është dakort me gjithë shpikjet e hapat e shkencës, provon çiltas se instikti themeltar i autokonservacionit është akoma i fortë edhe në priftërinjtë. Dhe do vijë dita që të pranojnë me taktikën e tyre që kanë përdorur për çdo hap qytetëronjës, se qielli nuk është më as misterioz, por një mekanizëm pafundësisht e përpleksur 1 që punon sipas ligjeve që rregullojnë atomet, elektronet e protonet e një cope guri. Do vijë koha të pranojnë që as jeta s’është dhe aq e errët, sepse shkencëtarët qysh tash “kanë përgatitur farë artificiale, të cilat, po mbillen, lëshojnë degë e fletë dhe prej materies pa jetë, prodhojnë celule 2 të gjalla që lëvizin, ushqehen, ndahen” dhe s’është aspak gabim i imagjinatës sonë, të themi, që shkenca do vijë deri në atë pikë, sa të fabrikojë njerëz; dhe jo idiotë, siç bën nganjëherë perëndia!…, por vetëm gjenij.

Njerëzit po e kuptojnë se nuk janë tjetër, veçse organizma të riprodhura, pa vleftë e pa rëndësi përpara madhështisë së natyrës. Njeriu modern duke i dhënë pozitën e gjykatësi të fundit suprem Mëndjes, gjurmimit shkencor, do të zhdukë padijen frikën dhe me zhdukjen e këtyre, vetvetiu që do të harrohen krejt dhe perënditë e vjetra me gjithë interpretimet e tyre. Edhe kimisti me biologun na e shpjegojnë jetën dhe vdekjen në mënyrë fare të thjeshtë. Aktivitetet marrrëdhënëse midis celulave të gjalla, të cilat mvaren nga lëngjet colloidal, prodhojnë jetën. Vdekja s’është gjë tjetër, veçse ngrimja e këtyre lëngjeve coloidalë, pikërisht siç ngurohet një e bardhë e vezës, kur e zjejmë. Nëqoftëse ka “ndonjë gjë të mshehtë” e të pashpjeguar në termat e forcave fizike dhe kimike, ai fakt nuk na intereson dhe s’ka as ndonjë rëndësi, sepse ajo gjë e mshehtë mund të anullohet aq lehtë nga forcat e shkencës, sa herë që t’i pëlqejë kësaj të fundit. Me sa është e mundur, që një e bardhë e vezës së zjerë të kthehet një cilësitë e para, aq është e mundur për një kufomë të ngjallet. Dhe nëqoftëse ka ndonjë fuqi mistike të panjohur në punën e gjallërisë, ajo fuqi as është e zonja ta ndalojë vdekjen, as ta zhdukë. 3

Prandaj që të vdesim burrërisht, duhet ta kuptojmë vdekjen nga kjo pikëpamje e thjeshtë shkencore dhe biologjike, d.m.th. të riedukohemi dhe të shuajmë emisionin e madh përpara vdekjes që provon shumica e njerëzve, i cili shpjegohet si efekt i instikteve të tyre natyrale të autokonservacionit, dhe që i bën ata të besojnë e t’u çelen rrugën fetare për insistimin e tyre në një antiklimaks (rrojtje e shpirtit edhe mbas vdekjes) në dramën e jetës. Por përveç këtyre përrallave fantastike të priftërinjëve, të cilave u ka dalë boja fare në këta dy shekujt e fundit, s’kemi asnjë arsye që të besojmë në këtë antiklimaks.

Na kemi një dëshirë aq të nxehtë për pavdekshmëri” thot Mendelsohni “një siguri të brenshme aq të madhe për vazhdimësin e personalitetit tonë psihik, sa medoemos në këtë pikë nuk mund të jemi të gabuar”! “Kjo, do të ishte njësoj” thotë një kritik i tij “sikur të thoshim: jam i sigurt se një ditë do të bëhme zengjin, sepse ma thotë një zë i brendshëm që do të bëhem”! Aq kredi sa meriton ky i dyti, meriton dhe ai i pari.

Njeriu normal nuk rron jetën sepse shpreson në pavdekshmërinë e shpirtit apo sepse ndien një nevojë të madhe të gjejë shkakun e fillimit të botës. As që ka nevojë të domosdoshme për etikën e fesë. Njeriu rron krejt natyrisht, si çdo gjë e gjallë brenda në natyrë. 4 Ai rron sepse brenda në celulat që e përbëjnë, brenda në organizmën e tij ndjen një qejf, një kënaqësi, një gëzim, kur është gjallë.

Është koha, pra, të thuhet edhe në gjuhën shqipe një fjalë e lirë; është koha të themi se organizimet fetare, me gjithë supersticionet etyre, me tërë sistemet e tyre filosofike e fiskale, janë anakroniste dhe nuk i përgjigjen më kohëve. As që është e mundur me ndonjë mënyrë të bëhen këto eksponente të kulturës dhe të qytetërimit, siç duan të predikojnë edhe sot të gjithë ditën shenjtorët, sado të nguruar, mund të lozin synë!

 

Tiranë, 1934

 

Shënime:
1. G. Santayana, filozof amerikan i sotëm është i bindur që mekanizma është universale, sundon dhe më të thellat kufi të shpirtit.
2. Edmund Wilson, A Conversation in the Galapagos.
3. S. Harding, Modern Thinker, f. 327-328.
4. “Qëllimi i gjurmimit është të gjejmë “qysh” dhe jo “pse”; është të zbulojmë ligjet e jo shkaqet… fjala shkak duhet të mos ekzistojë më në fjalorin filozofik.” – August Comte.

 

“De Profundis”

 

 

 

Sulmova jetën dhe më pushtoi vdekja

Me kthetrat e saj të ndyra ajo më shqeu përsëgjalli.Kënga ime papritmas u kthye në një ulurimë shurdhonjëse.Dhe unë besnik i trupit tim të shëndoshë, i tronditur qëndroj në këmbë dhe vërej se ato ligje të psikologjisë nëpër të cilat ecën jeta dhe zhvillimi i njerëzve, janë të vërteta dhe sundojnë. Vetëm njerëzit që meritojnë dhe duhet të jetojnë, janë në lartësinë e vdekjes, e shikojnë këtë drejt për së drejti; pa frikë dhe pa tmerr. Sa më i pazhvilluar të jetë njeriu, aq më tepër i trembet vdekjes. Jeta, që s’ka një qëllim, është një jetë kafshe. Jeta, që nuk ka një dëshirë supreme, një shtytje të ngutur për të kuptuar dhe për të rritur një shkallë më të lartë e më të kulturuar, jeta, që nuk është një përpjekje e vazhduar për botëkuptimin e rregulla më të plotësuara e më të përsosura, ajo nuk është jetë. Edhe sot vazhdoj të rroj duke menduar. Ajo udhë, që më solli në këtë “abis”, udha e mendimit të sinqertë dhe e pasjes së një qëllimi në jetë, nuk është e gabuar. I vdekur mund të jesh më i madh dhe më i fuqishëm sesa të gjallët. Më tepër na udhëheqin të vdekurit, sesa të gjallët. Madhëria dhe forca e një njeriu plotësohen mbasi vdes. Miq dhe shokë pata pak në jetën time, gjithsej nja pesë a gjashtë. Vetëm me ata u kuptova plotësisht dhe, kur ndënja me ta, “qava hallet”, ndjeva një lartësim në brendësirën time, ndjeva vlerën e të qënurit gjallë. Nga hiçi erdha, në hiçin shkojmë. Ai çast i shkurtër, që quhet “jetë”, duhet ta mbushim me fisnikëri, me shpirtngrohtësi, me gjallëri, dhe sidomos me mendim. Sa je gjallë digju, dhe nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen. Po të mos qe dielli prej zjarri dhe duke u djegur, s’do kish as jetë, as botë … Mendja dhe shpirti e tundin dhe e mbrujnë lëndën.

 

 

 

 

 

(Shkruar nga Ismet Toto në burgun e Gjirokastrës, në orën e ekzekutimit) 

 

 

 

Brez i fuqishëm

George Fred Williams
“Gjaku i Shqiptarëve është gjak burrërie. Shqiptari i ka dhënë Turqisë gjeneralët dhe ministrat më të mirë. Vëllezërit e tyre në Itali, Toskanët, vunë themelet e vertetë të madhështisë së Romës. Pesë perandorë të Romës qenë bij malësorësh Ilirianë; ata e forcuan racën Italiane. Në grykat dhe në malet e Atikës gjuha Shqipe është në përdorim edhe sot. Në përpjekjet e Greqisë për liri, Shqiptarët lanë emra fame. Ata trazohen me të tjerët, por në trazim nuk bashkohen, domethënë nuk i përziejnë gjakun dhe zakonet e tyre. Të ruajturit e gjuhës dhe të zakoneve të veta nën thembrën dhe tiraninë e shekujve tregon mundësitë e një race të fortë e të pamundëshme …”

Kurajo!

Si qëllim të përfundëshmë të përpjekjevet kombëtare-shoqërore të Tendencës Neo-Shqiptare, që përkrahim ne, mundemi të pranojmë këtë princip.
Krijimi i një Shqipërie brenda të pa-kufishme, jashtë të kufizuar.
Krijimi i një Shqipërie! Është lodhje, dëshpërim dhe pa qëllim të kthejmë sytë në gërmadhat e skllavërisë dhe në mjerimet që na la trashëgim e shkuara. Ky vështrim nga prapa është një gjë monstruoze. Syt t’ona, të drejtuara nga prapa, nuk do të takojnë veç se një gjurmë tepër të madhe shkatërrimi, shenja të pa-numërta kalbësimi, britma të dëshpëruara njerëzish dhe epokash. Dhe të gjitha këto të mbështjellura gjithëmonë brenda në një mjergullë të trashë. S’ka gjëkundi as pikë jete dhe shprese.
Po ka dhe një drejtim të përkundërtë. Drejtim që zë të Vjetërën me të Renë. E Arthmja!
E vetmja rreze shprese dhe shpëtimi për fatin shqiptar. Mundet që një ditë të shkëlqejë me takimin e një agimi plot gëzime, agim i cili do të faqet bashkë me sgjuarjen e Jetës së Re. Po vetëm sy guximtarë, shpirtra plot dashuri dhe ballëra të ndritura e të gëzuara do të mundin të gëzojnë kryelartësinë dhe madhërinë e kësaj jete. Shqipëria e mendimit dhe e ndjenjës, Shqipëria e vërtetë nuk gjendet nga prapa, po përpara neve!…
Dhe në qoftë se nuk do të mundemi të shtiem sytë t’ona në këtë drejtim, në qoftë se nuk do të marrim dot vesh thellë-thellë kuptimin e këtij orientimi krijonjës; domethënë, në qoftë se nuk e ndjejmë realitetin e jetës kombëtare-ahere është e humbur çdo përpjekje, është e kotë çdo dëshirë që të qëndrojmë si një unitet shoqëror i lirë dhe i lumtur brenda në sukseset përparimtare fantastike dhe të pa-arritshme të qytetërimit të shekullit të sotmë!

***
Shënja shquarëse e Neo-Shqiptarismës, kondita e parë e ekzistencës së saj është kurajua mendore. Për këtë them se Djalëria, e cila ka për detyrë të japë shërbimet e saj në luftën e lartësimit shoqëror dhe të zhvillimit qytetëronjës të vendit duhet që pikë-së-pari të tregojë fuqin e superioritetit mendor dhe të ketë kurajën të përballë të vërtetën e jetës kombëtare ashtu siç është në realitet dhe t’u a çfaqë të tjerëve krejt lakuriq.
Lamë të shkojë shumë kohë, duke përgëzuar ambiciet historike me fluturat prallore. Po kombet që na kanë rrethuar nga të gjitha anët dhe me të cilët na lith afro po një fat historik, na kanë lënë të paktën një shekull prapa. Me gjithë këtë as nonjë nga ne s’ka treguar gjer sot kurajo mendore, që të na shpjegojë arsyet e vërteta dhe shkencore që shkaktuan këtë fakt të hidhur. Nuk janë të paktë ata që shohin, si të vetme arsye historike të fatkeqësisë s’onë të sotme, periodat e gjata të sundimit të huaj, që kaloi populli ynë. Për fat të keq, ky shpjegim nuk është një shkak, është një përfundim..
Mos jemi vallë në botë i vetmi popull, i cili, në peripetin e udhëtimit të tij historik, ra nga skllavëria në skllavëri, nga tirani në tiran?
Ja, krahas me neve një botë e tërë, e cila shpëtoi dhe u tregua për hir vetëm të shkeljes turke!…Themelonjësi i shkollës Evrasiatike Princi rus Troubeskoi, që sot quhet si një nga hegjemonët e shkëncës, thotë diku:
“Sundimi i huaj përbën për popujt një shkollë”.
Kjo është e vërteta. Historia jonë nuk është veç se një vazhdim besnik i peripecive të çfarëdosojme të sundimit të huaj. Po ne u treguam nxënës të keq. Nuk kemi mësuar as letrën A!…
***
Nga organizma jonë shoqërore mungon një gjë e doemosme, le t’a emëroj sot: Faktori kryesor i shpiritës shoqërore, idealizma krijonjëse, kuraja mendore, devocioni për realitetin kombëtar!
Kurajua është arma më e çmuar e përparimit. Gjurmimi i së vërtetës, Shkenca, nuk kuptohet pa kurajon. Brënda në luftën e vrazhdë dhe të pamëshirëshme të jetës së sotme jemi të ekspozuar në një rrezik të math. Dhe vetëm kur të kuptojmë gjithë tmerrin dhe gjithë shkatërrimin që do të shkaktojë ky rezik, ahere vetëm do të mundemi të themi se hodhëm të parin çap të shëndoshë përpara, për shpëtimin.
Në “Gotzendammerung” Nietzche shkruan:
“Kombet, që kishin një farë vlerë ose fituan një farë vlere, këtë gjë s’e arritën me Institucionet Liberale. Reziku i math i lartësoi kombet. Reziku, të cilit i detyrojmë mirënjohsi, i shton mjetet e rezistencës s’onë, çfaq viruset t’ona, shpërndan në zëmrat t’ona kurajo, jep armë në duart t’ona dhe sbulon përnjëherësh vlerat e pa-njohura mendore, që flënë brenda nesh. Reziku na shtrëngon të jemi të fortë”.
Megjithë fuqin e zërit t’im dua të flas brenda shpirtrat e Djemve t’onë këto fjalë të arta të krijonjësit të “Ubmerensh”-it. Para gjithash të gjurmojmë shkaket historike dhe sociologjike të dekadencës s’onë shoqërore. Me kurajo. Dhe ahere do t’i hapin sytë popullit t’onë. Dhe do të faqet reziku i math i gjallë. Reziku, që breth reth e rotull nesh, në krah t’onë, brenda nesh, si nonjë shtazë e uritur!…

Branko Merxhani
Botuar më 1929

The Protocols of the Elders of Zion

Shkarko