Archive for the ‘ Neoshqiptarizmi ’ Category

Shkenca do të zëvendësojë të mbinatyrshmin

Nga:
Ismet Toto

Shkrimi është pjesë e polemikës së Ismet Totos me françeskanët Harapi e Fishta gjatë vitit 1934 në shtypin e kohës. Këtu është marrë nga përmbledhja “Bota e një djali kryengritës”, Toena, Tiranë, 1997

 

Nga shënimet e shkurtëra, që bëmë më lart, duket sheshit se evolucioni që bëri idea e perëndisë që nga njeriu primitiv e gjer tek Krishti, është i madh. Idea e zotit, duke dalë nga qarku i ngushtë i familjes, mbasandaj tribus, mbasandaj rracës, tani mori një formë universale. Zoti është tashti ati i gjithë njerëzimit dhe nuk shembëllen e as identifikohet me ndonjë gjë që mund të konseptojë truri i njeriut. Në këtë mënyrë vërtetohet teza, që zoti është një krijesë e mendjes njerëzore, sepse, siç u provua, duke u zgjeruar horizonti i mendimit të njeriut, ndërron formë dhe idea e zotit. Dhe sa më tepër ndërron formë e largohet nga jeta e përditshme, aq më tepër përparojnë e zhvillohen njerëzit, aq më pak e ndjejnë nevojën e zotit.

Mirëpo institucionet fetare kanë qëndruar më këmbë dhe ushtrojnë edhe sot një farë autoriteti në turmat e pazhvilluara të çdo populli. I gjithë përparimi në shkencë dhe në dituri, nuk ka mundur akoma të thyej definitivisht autoritetin e këtyre institucioneve. Po kjo nuk do të thotë se nuk do ta thyej një ditë.

Sot, një statistikë amerikane vërteton, çdo foshnje, çdo grua e çdo burrë amerikan ka në shërbim të tij një energji prej 50 skllevërish, po të llogaritet fuqia lëvizëse e motorëve që përdoret në atë vend për prodhimin e komoditeteve të ndryshme. Kjo nuk është një dhuratë e fesë, por rezultat i luftës, që iu bë asaj. Njeriu modern mblodhi lotët e derdhur nga ata që vuajnë aq shumë persekusionet e ndryshme të mesjetës fetare, i ktheu në avull dhe krijoi makinën lëvizëse, e cila bën të gjitha punët (Mbase një ditë do të bëjë dhe atë të mendimit!). Njeriu modern mori një grusht baltë nga varri ku shtrihen kockat e martirëve të mendimit të lirë dhe mbrujti teleskopin, me anën e të cilit shikon dhe studion thellësitë e qiejve, milionat e botëve, nebulave, galaksive, që na rinë reth e rotull dhe, për fat të keq, as në ato largësira nuk e gjen perëndinë krijuese të fetarëve primitivë!

P. A. Harapi e di më mirë nga unë, që shkenca po zëvendëson të mbinatyrshmen. Unë besoj se jo një njeri laik çfarëdo, por edhe P. A. Harapi vetë, kur i dhëmb koka ose kur e zënë ethet, nuk shkon të bëjë lutje apo sakrifica në altar, por thërret mjekun dhe i kërkon barna. Edhe në qoftëse ndonjë tronditje a shqetësim në sistemin nervor, do të bënte më mirë të shkonte tek S. Freud ose A. Adler, sesa të binte përpara ndonjë statuje, që simbolizon ndonjë shenjtor, të cilin populli i vogël e beson se bën mrekulli, mund të lëvizë sytë, dorën e ku di unë!…

A beson P. A. Harapi, se një statujë çfarëdo, e bërë nga baltë ose nga mermer, mund të bëjë mrekullira? Të lëvizë dorë e këmbë? Çfarë intelektualizme dhe adhurimi për shkencë shet në “Hyllin e Dritës” dhe çfarë thot për statujën, që lëviz, kur ndodhet përpara plakave, pleqve e foshnjave, që frekuentojnë kishën!?…

Nuk ndjej aspak nevojën të zgjatem në këtë pikë. Sot në vend të mrekullive dhe çudive të teologjisë, shkenca na jep ligjet e gjithësisë. Në vënd të magjisë, kemi kiminë e fizikën. Për krijimin e njeriut e të tokës, kemi zbulimet e ndritura dhe të arsyeshme të evolucionit dhe gjeologjinë. Për vizitat e djallit në tokë, na kemi mjete që luftojnë insektet dhe mikrobet. Është shkenca e vrazhdë, materialiste, që na shpie përtej errësirës në dritë. Vetëm shkencëtari, i cili mundohet të përshtatë njerëzimin te Gjithësia dhe Gjithësinë te njerëzimi, do prodhojë më në fund kryeveprën e imagjinatës njerëzore. Dhe kur të vijë ajo ditë, profeti dhe artisti do të mbeten të turpëruar…

Prandaj qytetërimi i sotëm është tokësor. Fakti që kleri i organizuar kërkon të thotë se ai është dakort me gjithë shpikjet e hapat e shkencës, provon çiltas se instikti themeltar i autokonservacionit është akoma i fortë edhe në priftërinjtë. Dhe do vijë dita që të pranojnë me taktikën e tyre që kanë përdorur për çdo hap qytetëronjës, se qielli nuk është më as misterioz, por një mekanizëm pafundësisht e përpleksur 1 që punon sipas ligjeve që rregullojnë atomet, elektronet e protonet e një cope guri. Do vijë koha të pranojnë që as jeta s’është dhe aq e errët, sepse shkencëtarët qysh tash “kanë përgatitur farë artificiale, të cilat, po mbillen, lëshojnë degë e fletë dhe prej materies pa jetë, prodhojnë celule 2 të gjalla që lëvizin, ushqehen, ndahen” dhe s’është aspak gabim i imagjinatës sonë, të themi, që shkenca do vijë deri në atë pikë, sa të fabrikojë njerëz; dhe jo idiotë, siç bën nganjëherë perëndia!…, por vetëm gjenij.

Njerëzit po e kuptojnë se nuk janë tjetër, veçse organizma të riprodhura, pa vleftë e pa rëndësi përpara madhështisë së natyrës. Njeriu modern duke i dhënë pozitën e gjykatësi të fundit suprem Mëndjes, gjurmimit shkencor, do të zhdukë padijen frikën dhe me zhdukjen e këtyre, vetvetiu që do të harrohen krejt dhe perënditë e vjetra me gjithë interpretimet e tyre. Edhe kimisti me biologun na e shpjegojnë jetën dhe vdekjen në mënyrë fare të thjeshtë. Aktivitetet marrrëdhënëse midis celulave të gjalla, të cilat mvaren nga lëngjet colloidal, prodhojnë jetën. Vdekja s’është gjë tjetër, veçse ngrimja e këtyre lëngjeve coloidalë, pikërisht siç ngurohet një e bardhë e vezës, kur e zjejmë. Nëqoftëse ka “ndonjë gjë të mshehtë” e të pashpjeguar në termat e forcave fizike dhe kimike, ai fakt nuk na intereson dhe s’ka as ndonjë rëndësi, sepse ajo gjë e mshehtë mund të anullohet aq lehtë nga forcat e shkencës, sa herë që t’i pëlqejë kësaj të fundit. Me sa është e mundur, që një e bardhë e vezës së zjerë të kthehet një cilësitë e para, aq është e mundur për një kufomë të ngjallet. Dhe nëqoftëse ka ndonjë fuqi mistike të panjohur në punën e gjallërisë, ajo fuqi as është e zonja ta ndalojë vdekjen, as ta zhdukë. 3

Prandaj që të vdesim burrërisht, duhet ta kuptojmë vdekjen nga kjo pikëpamje e thjeshtë shkencore dhe biologjike, d.m.th. të riedukohemi dhe të shuajmë emisionin e madh përpara vdekjes që provon shumica e njerëzve, i cili shpjegohet si efekt i instikteve të tyre natyrale të autokonservacionit, dhe që i bën ata të besojnë e t’u çelen rrugën fetare për insistimin e tyre në një antiklimaks (rrojtje e shpirtit edhe mbas vdekjes) në dramën e jetës. Por përveç këtyre përrallave fantastike të priftërinjëve, të cilave u ka dalë boja fare në këta dy shekujt e fundit, s’kemi asnjë arsye që të besojmë në këtë antiklimaks.

Na kemi një dëshirë aq të nxehtë për pavdekshmëri” thot Mendelsohni “një siguri të brenshme aq të madhe për vazhdimësin e personalitetit tonë psihik, sa medoemos në këtë pikë nuk mund të jemi të gabuar”! “Kjo, do të ishte njësoj” thotë një kritik i tij “sikur të thoshim: jam i sigurt se një ditë do të bëhme zengjin, sepse ma thotë një zë i brendshëm që do të bëhem”! Aq kredi sa meriton ky i dyti, meriton dhe ai i pari.

Njeriu normal nuk rron jetën sepse shpreson në pavdekshmërinë e shpirtit apo sepse ndien një nevojë të madhe të gjejë shkakun e fillimit të botës. As që ka nevojë të domosdoshme për etikën e fesë. Njeriu rron krejt natyrisht, si çdo gjë e gjallë brenda në natyrë. 4 Ai rron sepse brenda në celulat që e përbëjnë, brenda në organizmën e tij ndjen një qejf, një kënaqësi, një gëzim, kur është gjallë.

Është koha, pra, të thuhet edhe në gjuhën shqipe një fjalë e lirë; është koha të themi se organizimet fetare, me gjithë supersticionet etyre, me tërë sistemet e tyre filosofike e fiskale, janë anakroniste dhe nuk i përgjigjen më kohëve. As që është e mundur me ndonjë mënyrë të bëhen këto eksponente të kulturës dhe të qytetërimit, siç duan të predikojnë edhe sot të gjithë ditën shenjtorët, sado të nguruar, mund të lozin synë!

 

Tiranë, 1934

 

Shënime:
1. G. Santayana, filozof amerikan i sotëm është i bindur që mekanizma është universale, sundon dhe më të thellat kufi të shpirtit.
2. Edmund Wilson, A Conversation in the Galapagos.
3. S. Harding, Modern Thinker, f. 327-328.
4. “Qëllimi i gjurmimit është të gjejmë “qysh” dhe jo “pse”; është të zbulojmë ligjet e jo shkaqet… fjala shkak duhet të mos ekzistojë më në fjalorin filozofik.” – August Comte.

 

“De Profundis”

 

 

 

Sulmova jetën dhe më pushtoi vdekja

Me kthetrat e saj të ndyra ajo më shqeu përsëgjalli.Kënga ime papritmas u kthye në një ulurimë shurdhonjëse.Dhe unë besnik i trupit tim të shëndoshë, i tronditur qëndroj në këmbë dhe vërej se ato ligje të psikologjisë nëpër të cilat ecën jeta dhe zhvillimi i njerëzve, janë të vërteta dhe sundojnë. Vetëm njerëzit që meritojnë dhe duhet të jetojnë, janë në lartësinë e vdekjes, e shikojnë këtë drejt për së drejti; pa frikë dhe pa tmerr. Sa më i pazhvilluar të jetë njeriu, aq më tepër i trembet vdekjes. Jeta, që s’ka një qëllim, është një jetë kafshe. Jeta, që nuk ka një dëshirë supreme, një shtytje të ngutur për të kuptuar dhe për të rritur një shkallë më të lartë e më të kulturuar, jeta, që nuk është një përpjekje e vazhduar për botëkuptimin e rregulla më të plotësuara e më të përsosura, ajo nuk është jetë. Edhe sot vazhdoj të rroj duke menduar. Ajo udhë, që më solli në këtë “abis”, udha e mendimit të sinqertë dhe e pasjes së një qëllimi në jetë, nuk është e gabuar. I vdekur mund të jesh më i madh dhe më i fuqishëm sesa të gjallët. Më tepër na udhëheqin të vdekurit, sesa të gjallët. Madhëria dhe forca e një njeriu plotësohen mbasi vdes. Miq dhe shokë pata pak në jetën time, gjithsej nja pesë a gjashtë. Vetëm me ata u kuptova plotësisht dhe, kur ndënja me ta, “qava hallet”, ndjeva një lartësim në brendësirën time, ndjeva vlerën e të qënurit gjallë. Nga hiçi erdha, në hiçin shkojmë. Ai çast i shkurtër, që quhet “jetë”, duhet ta mbushim me fisnikëri, me shpirtngrohtësi, me gjallëri, dhe sidomos me mendim. Sa je gjallë digju, dhe nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen. Po të mos qe dielli prej zjarri dhe duke u djegur, s’do kish as jetë, as botë … Mendja dhe shpirti e tundin dhe e mbrujnë lëndën.

 

 

 

 

 

(Shkruar nga Ismet Toto në burgun e Gjirokastrës, në orën e ekzekutimit) 

 

 

 

Gurë themelie , Ismet Toto

Përgatitemi duke ecur

Kjo është kryefjala jonë dhe e çdo njeriu, që ndien dhe jeton dinamizmën evolutive të botës së qytetëruar në këtë shekull. Nuk është kurrsesi e mundur, as praktikisht, as edhe teorikisht, që të krijohet një kuadër formulash dhe me anë të tij të parashikohen me detaje të gjithë elementët dhe mënyrat me të cilat do të zgjidhen, në të ardhmen, problemet e një vëndi. E ardhmja nuk mund të mbyllet e të ndrydhet nëpër formula. Jeta është dinamike dhe ka aspekte të shumëngjyrta. Ashtu siç ndryshon një plan lufte në zhvillim e sipër të luftës, ashtu reformohet, evolohet dhe kompletohet edhe një plan i jetës përgjithësisht. Po gjithashtu, sikundër një plan lufte supozon direktiva të përgjithshme, ashtu edhe një plan jete ka nevojë t’i paracaktohen disa vija, t’i shënohen gurët e themelisë, mbi të cilat do të qëndrojë. Po kaq dhe jo më tepër. Përsërisëm: Përgatitemi duke ecur, në ecje e sipër, po intuitivisht, dimë edhe se ku vemi. Themi intiuitivisht, sepse jeta e një shoqërie nuk zhvillohet besnikërisht me një proçes llogjik të parapashëm përpikërisht. Plani i jetës nuk zbatohet nga formula intelektuale të parakrijuara, qoftë spontaneisht, qoftë nga një proçedurë llogjike çfarëdo.

Shteti dhe Kombi janë një

Organizimi i një populli brenda disa kufijve dhe ligjeve, ia këmben emrin në Shtet. Po shtet nuk mund të ekzistojë pa patur vetë ai popull një vullnet të përbashkët – që lind nga homogjenitet kulture, zakoni, shpirti dhe rrace – për të bërë Shtet dhe Komb. Ekzistenca e një shteti është një fait acompli vetvetiu në këtë kuptim. Dhe ekzistenca e një Shteti presupozon edhe dëshirën për të realizuar Kombin: Që domethënë një harmoni gjithnjë më e përsosur në të gjitha shfaqjet e jetës njerëzore, spirituale dhe lëndore. Nga kjo e vërtetë e shkëlqyer del në shesh që Shteti dhe Kombi, në ditët tonë, janë dhe duhet të jenë Një. Dhe fakti që në krye të piramidës shoqërore të shteteve diktatoriale qëndron nga një njeri, që është mishërimi i aspiratave të shumicës dërmonjëse të popullit, nuk provon veçse atë që thamë. Dhe fakti më elokuent akoma, që këta prijsa jo më të mbajnë një ekuilibër midis ndasive, partive dhe divergjencave të grupeve, por me një përpjekje kurajoze të vazhdushme për të realizuar një shkallë sa më të lartë harmonie dhe bashkimi të tërësisë së popullit, provon haptazi se shteti dhe kombi, që si vullnet sinthetizohen tek Prijsi, janë kryekëput Një, si qëllim, si vullnet edhe si pikëmbritjeje.

Shteti dhe Individi

Nuk mund të konceptohet një njeri që jeton vetëm fill. Njeriu është anëtar i shoqërisë, celulë e një trupi më të madh me funksione më të mëdha. Ushtari i një batalioni nuk e ndien veten vetëm, por e shumëzon veten me pesëqint që është forca e batalionit. Sepse ai vepron si pjesëtar i një trupi, që quhet batalion dhe që ka fuqi pesëqint njerëz. Kështu është edhe njeriu në shtet. Është një pjesë e tërësisë dhe identifikohet me tërësinë dhe jeton jetën e tërësisë kombëtare. Kështu diktatura moderne nuk hiçëson individin, por e ngre në shkallën e lartë që të identifikohet me kombin. Në këtë mënyrë individi do t’i japë kombit gjithë ç’t’i kërkojë dhe kombi do t’i japë atij gjithë ç’i duhet. Ashtu sikundër një djalë i mirë u jep prindërve gjithë ç’fiton, fjala vjen, dhe ata i japin disa të holla e të mira sa u premton buxheti. Sepse më këtë frymë fisnike dashurie është e mbrujtur dhe qëndron më këmbë piramida shoqërore diktatoriale dhe jo mbi bazat e kalbura të marëdhënieve të lira, të leverdisë dhe të reciprocitetit. Sepse po të qe Kombi krijesa e një leverdie reciproke, d.m.th. një tregti në mes të individit dhe kombit, qysh mund të shpjegohen sakrificat tmerronjëse që bëjnë popujt në kohë paqe dhe lufte për interesat kombëtare? Shqiptarët e kohëve të indipendencës, a mos luftuan dhe vdiqën që të bëhej Shqipëria dhe të bëheshin ata zengjinë dhe të rronin mirë ata vetë personalisht? Apo mos nesër kur Atdheu, a thua se do të vejë i shtytur nga instikti tregtar? Instikti tregtar nuk bën komb. Bën çifutë. Kombet i mban sakrifica, altruisma, ideali, shpirti.

Arbënia, 1936

Kurajo!

Si qëllim të përfundëshmë të përpjekjevet kombëtare-shoqërore të Tendencës Neo-Shqiptare, që përkrahim ne, mundemi të pranojmë këtë princip.
Krijimi i një Shqipërie brenda të pa-kufishme, jashtë të kufizuar.
Krijimi i një Shqipërie! Është lodhje, dëshpërim dhe pa qëllim të kthejmë sytë në gërmadhat e skllavërisë dhe në mjerimet që na la trashëgim e shkuara. Ky vështrim nga prapa është një gjë monstruoze. Syt t’ona, të drejtuara nga prapa, nuk do të takojnë veç se një gjurmë tepër të madhe shkatërrimi, shenja të pa-numërta kalbësimi, britma të dëshpëruara njerëzish dhe epokash. Dhe të gjitha këto të mbështjellura gjithëmonë brenda në një mjergullë të trashë. S’ka gjëkundi as pikë jete dhe shprese.
Po ka dhe një drejtim të përkundërtë. Drejtim që zë të Vjetërën me të Renë. E Arthmja!
E vetmja rreze shprese dhe shpëtimi për fatin shqiptar. Mundet që një ditë të shkëlqejë me takimin e një agimi plot gëzime, agim i cili do të faqet bashkë me sgjuarjen e Jetës së Re. Po vetëm sy guximtarë, shpirtra plot dashuri dhe ballëra të ndritura e të gëzuara do të mundin të gëzojnë kryelartësinë dhe madhërinë e kësaj jete. Shqipëria e mendimit dhe e ndjenjës, Shqipëria e vërtetë nuk gjendet nga prapa, po përpara neve!…
Dhe në qoftë se nuk do të mundemi të shtiem sytë t’ona në këtë drejtim, në qoftë se nuk do të marrim dot vesh thellë-thellë kuptimin e këtij orientimi krijonjës; domethënë, në qoftë se nuk e ndjejmë realitetin e jetës kombëtare-ahere është e humbur çdo përpjekje, është e kotë çdo dëshirë që të qëndrojmë si një unitet shoqëror i lirë dhe i lumtur brenda në sukseset përparimtare fantastike dhe të pa-arritshme të qytetërimit të shekullit të sotmë!

***
Shënja shquarëse e Neo-Shqiptarismës, kondita e parë e ekzistencës së saj është kurajua mendore. Për këtë them se Djalëria, e cila ka për detyrë të japë shërbimet e saj në luftën e lartësimit shoqëror dhe të zhvillimit qytetëronjës të vendit duhet që pikë-së-pari të tregojë fuqin e superioritetit mendor dhe të ketë kurajën të përballë të vërtetën e jetës kombëtare ashtu siç është në realitet dhe t’u a çfaqë të tjerëve krejt lakuriq.
Lamë të shkojë shumë kohë, duke përgëzuar ambiciet historike me fluturat prallore. Po kombet që na kanë rrethuar nga të gjitha anët dhe me të cilët na lith afro po një fat historik, na kanë lënë të paktën një shekull prapa. Me gjithë këtë as nonjë nga ne s’ka treguar gjer sot kurajo mendore, që të na shpjegojë arsyet e vërteta dhe shkencore që shkaktuan këtë fakt të hidhur. Nuk janë të paktë ata që shohin, si të vetme arsye historike të fatkeqësisë s’onë të sotme, periodat e gjata të sundimit të huaj, që kaloi populli ynë. Për fat të keq, ky shpjegim nuk është një shkak, është një përfundim..
Mos jemi vallë në botë i vetmi popull, i cili, në peripetin e udhëtimit të tij historik, ra nga skllavëria në skllavëri, nga tirani në tiran?
Ja, krahas me neve një botë e tërë, e cila shpëtoi dhe u tregua për hir vetëm të shkeljes turke!…Themelonjësi i shkollës Evrasiatike Princi rus Troubeskoi, që sot quhet si një nga hegjemonët e shkëncës, thotë diku:
“Sundimi i huaj përbën për popujt një shkollë”.
Kjo është e vërteta. Historia jonë nuk është veç se një vazhdim besnik i peripecive të çfarëdosojme të sundimit të huaj. Po ne u treguam nxënës të keq. Nuk kemi mësuar as letrën A!…
***
Nga organizma jonë shoqërore mungon një gjë e doemosme, le t’a emëroj sot: Faktori kryesor i shpiritës shoqërore, idealizma krijonjëse, kuraja mendore, devocioni për realitetin kombëtar!
Kurajua është arma më e çmuar e përparimit. Gjurmimi i së vërtetës, Shkenca, nuk kuptohet pa kurajon. Brënda në luftën e vrazhdë dhe të pamëshirëshme të jetës së sotme jemi të ekspozuar në një rrezik të math. Dhe vetëm kur të kuptojmë gjithë tmerrin dhe gjithë shkatërrimin që do të shkaktojë ky rezik, ahere vetëm do të mundemi të themi se hodhëm të parin çap të shëndoshë përpara, për shpëtimin.
Në “Gotzendammerung” Nietzche shkruan:
“Kombet, që kishin një farë vlerë ose fituan një farë vlere, këtë gjë s’e arritën me Institucionet Liberale. Reziku i math i lartësoi kombet. Reziku, të cilit i detyrojmë mirënjohsi, i shton mjetet e rezistencës s’onë, çfaq viruset t’ona, shpërndan në zëmrat t’ona kurajo, jep armë në duart t’ona dhe sbulon përnjëherësh vlerat e pa-njohura mendore, që flënë brenda nesh. Reziku na shtrëngon të jemi të fortë”.
Megjithë fuqin e zërit t’im dua të flas brenda shpirtrat e Djemve t’onë këto fjalë të arta të krijonjësit të “Ubmerensh”-it. Para gjithash të gjurmojmë shkaket historike dhe sociologjike të dekadencës s’onë shoqërore. Me kurajo. Dhe ahere do t’i hapin sytë popullit t’onë. Dhe do të faqet reziku i math i gjallë. Reziku, që breth reth e rotull nesh, në krah t’onë, brenda nesh, si nonjë shtazë e uritur!…

Branko Merxhani
Botuar më 1929

Organizimi i Kaos-it

Branko MERXHANI

Shqipëria jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Në rumbat t’ona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurma të prishjes, të robërisë, të një tronditjeje historike-shoqërore të pakapëshme. Trazimi dhe anarkia, që mbretërojnë sot në gjuhën t’onë, nuk janë vecc se vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes s’onë historiko-shoqërore. Gjithë ky trazim, gjithë kjo anarki mbretërojnë edhe në të gjitha çfaqjet e tjera të dynamismës s’onë qytetëronjëse. Në idetë dhe tendencat t’ona shoqërore, ca më shumë në kuptimet t’ona mbi formën dhe esencën e institutevet t’ona shoqëore. Ësht një anarki, e cila ka thëthitur të gjithë po thua jetën t’onë. Ideale s’kemi. Racionalisma e jonë është po thua si e djemvet. Dispozita për një gjyrmim të ngulur shkencor dhe sistematik na mungon krejt. Ku e ka rrënjën e saj kjo e keqe? A ka vallë arësye historike? Nga pikëpamja e kuptimit sociologjik cili është shkaku i kësaj gjendjeje?
Ja disa pyetje që vë Neo-Shqiptarizma përpara Djalërisë s’onë intelektuale dhe idealiste. I vë dhe shton: Pa dhënë përgjigje në këto pyetje, s’mund të bëhet asnjë çap përpara!….

***
Ka shumë kohë që shkoi ajo epokë në të cilën Nacionalisma ishte shoqe e Romantismës. Nacionalisma e sotme çmon kryesisht Realitetin. Është shprehja e gjallë e Sociologjisë si shkëncë, një farë tokë sbatimi të Hygjienës Shoqërore, një Laboratorium i sëmundjevet psikologjike-shoqërore. Si vlerë pozitive ka vetëm gjyrmimin. Sbulimin e rrënjës të së keqes.
Kërkimi themelor i Neo-Shqiptarismës nga Djalëria- nga ajo Djalëri e cila, e ndritur me fenerin e mëndjes, ndjen pa dyshim përkundrejt fatit historik të Atdheut një respekt të thellë dhe është vënë me mish eme shpirt në rugën e fatit dhe të së ardhmes- është ky: Të ndjekë një formë shkencore në gjyrmimet dhe në përkufizimet, si edhe një kuptim filozofik të plotë dhe të tanishmë në idealismën kombëtare.

***
Një intelektual shkon rezikun më të math dhe më të tmerëshmë: të bjerë në hendekun e gabimit dhe të vetëgënjimit, po të dojë të bëjë një udhëtim në sferën e pasosur dhe katotike të fantasisë së tij. Kjo sferë përmban vetëm botëra të rrema, vlera të vdekura që bien vetëm gjumë, dhe “utopistë gjenialë”.
Drita është Shkënca. Bota e Realiteteve. Problemi i jetës, mysteri i së ardhmes, kanë nevojë për këtë dritë. Jetën nuk duhet t’a shohim përmes prismës së fatnasisë s’onë. Vështrimin t’onë duhet t’a kthejmë përkundrejt jetës, d.m.th. t’a shohim jetën ashtu siç është dhe jo ashtu siç e duam ne të jetë.
Jeta do një zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, po është e fshehur thellë në shpirtin kombëtar.
Ja pika nga e cila nisemi. Të ndriçojmë shkaket e thella të anarkisë s’onë shoqërore, që na la trashëgim e shkuara, me fenerin e shkëncës sociologjike.
Dhe ja pika e drejtimit t’onë: Përmbi gërmadhat e Shqipërisë së djeshme, të prishur dhe të robëruar, të krijojmë një Shqipëri të nesërme të mbaruar, të ndritur, të qytetëruar- një Shqipëri jo historike, po qyetëronjëse.

* * *
Qëllimi i luftës: Idealizimi i jetës.
Shqipëria e ndjenjës, Shqipëria e mendimit, po pret krijonjësit e saj. Dritë përmbi fantasinë e së shkuarës. Nuk jemi as stërnipët bonjakë të Pellasgëvet mythollogjikë, as gërmadhat e Ilirianëvet: Jemi Shqipëtarë- Një Kombësi e re.
Pralla pellasgjike është një hypothezë xhaba. Një absurditet. Këtë sofismë duhet t’a neveritim. Sot s’ka mbetur asnjë Turk i ditur që të ëndërojë prallat turanike. As një Grek, me mëndje të shëndoshë, sot nuk mburet se është stërnipi i Perikleut. Edhe Romanët e sotmë e kanë haruar prej shumë kohe origjinën e tyre. Jeta e popujve nuk është veç se Mrekullia e Shvillimit, që regullon valat e mbëdha të shekujvet.
Po! Jemi Shqipëtarë dhe përbëjmë një Kombësi të re. Mëma e Nacionalismës, Mallëngjimi Kombëtar i shekullit XX, nxori në dritë një pjellë të re. Kjo pjellë jemi ne. Si Neo-Grekët e sotmë, si Turqit e sotmë të Asisë së Vogël, kështu edhe neve na ka pjellor një natë magjike verore, dynamisma krijonjëse e freshkëtë dhe përjetësisht e re e natyrës, në gjirin që nuk duket dhe misterioz të Perëndisë së Krijesavet. Jemi akoma djem. Ndërgjegja jonë nuk e ka njohur akoma fytyrën krejt të ndritshme të Krijonjësit. Sytë t’ona nuk janë mësuar akoma të shohin me sympathi Diellin e Intelektit. Ku janë kujtimet t’ona të shoqërisë? Ku është Uniteti ynë sentimental? Ku është Poezia, Leteratura, që përfaqësojnë racën t’onë, farën t’onë? Ku është shpirti kombëtar i pastër dhe i zhvilluar? Ku është gjuha jonë? Ku është kultura jonë?
Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Falëtoren e saj…

***
Lindëm në errësirë, po kërkojmë dritën. Dhe misioni i brezit të sotmë është që të na shpjerë nga erësira në dritë.
Reziqe na kanë rrethuar nga të gjitha anët. Me gjithë këtë, nuk ka as ndonjë rezik. Mjafton t’a kuptojmë. Ai që ron, ron se pse e pa dhe e mundi rezikun. Jeta nuk ka tjetër vlerë, tjetër kuptim. Jetë do të thotë të mundësh rezikun. Edhe Grekërit e Vjetër, në çapet e para të zhvillimit të tyre, kishin të luftonin kundër po këtij reziku. Bile luftuan një shekull të tërë. Po u përpoqën si gjigandë. Me gjithë këtë, me zor të math shpëtuan nga reziku që të mbyten në rrymën e tëmerëshme që kish shkaktuar hyrja e influencave të huaja, që u kish lënë trashëgim e shkuara.
“Mania e historismës” mënjë e prishi atë Statujë madhështore të Mëndjes Njerëzore, bile edhe para se të ngrehet. Dhe jo se pse nuk kish sbuluar akoma rrugën e jetës, që çelet brenda në pastërtinë dhe flakën e ndërgjegjies kombëtare. Për një kohë të gjatë qytetërimi i tyre nuk ishte gjë tjetër veç se një trazim konceptesh të pa-kuptuara semitike, babyloniane, indiane dhe egjiptiane. Feja e tyre ishte një shesh anarkik dhe i nxehtë lufte midis njëri-tjetrit, shesh mbi të cilin mbretëronin të gjitha Perënditë e Asisë. Me gjithë këtë Kaos, qyeteërimi grek lindi, roi dhe mbretëroi mbi fronet e të gjitha epokave të paskëtajme. Greqia e Platonit mundi pak e nga pak t’i çdukij influencat e tyre, të dbojë nga Falëtoria e Mendimit Perënditë e Barbarëvet, d.m.th. të organizojë Kaos-in, që gjendesh brenda në Unën e saj.

Botuar më 1 korrik 1930

Për një “politikë popullsie”

Ismet TOTO,

Demografia, ose “politika e popullatës”, si e quajnë tashti së fundi, është një shkencë më vete dhe, si e tillë, ka ligjet dhe mënyrat e saj. Për të studiuar një shoqëri njerëzore “demografikisht” lypsen njohur një tok elementesh dhe gjendje që shtrihen në “kohë”. Shumica e këtyre, zakonisht përkthehet në shifra. Në Shqipëri mungojnë statistikat dhe studimet për kohën e kaluar prej të cilave do të rezultonte se çfarë është e “përhershme në ndryshuarshmërinë”. E keqja shtohet kur mendojmë se dhe ato pak kartëra që pretendojnë të na japin pasqyrën e realitetit të sotëm, nuk janë të kënaqshme dhe aq më pak, të besuarshme. Regjistrimi i popullsisë që u bë së fundi, ishte një tentativë për të caktuar numurin e banorëve; asgjë më tepër. Në këtë mënyrë, pra, e vetmja gjë që dihet me siguri në rastin tonë, është që popullsia brenda kufive të mbretërisë vërtitet rreth milionit. Njëqind e një pyetjet e tjera që kërkojnë një studim, pak a shumë serioz, mbeten pa përgjigje. Me qenë, pra, se elementet bazale për një studim shkencor mungojnë, është nevojë ta themi që në krye, se qëllimi i këtij artikulli është të tërheqë vëmendjen e klasës studjonjëse shqiptare mbi këtë problem, i cili, pa tjetër, është nga të radhës parë për Kombin.
Vija të trasha
Gjendja jonë e sotme paraqitet origjinale nga shumë pikëpamje. Jemi një popull, pothuaj, parahistorik dhe jemi një shtet i porsalindur. A mund të pretendojmë në një “kulluetesi rraciale”? Me fjalë të tjera e thënë shqip, a jemi të një gjaku? A jemi të një barku? Biologjikisht nuk gjendet asnjë vërtetim. Ngjarjet historike dhe sidomos realiteti i sotëm, dëshmojnë të kundërtën. Nëqoftë se Myzeqeja paraqet një heterogjenitet të madh nga pikpamja e rracës, edhe të famshmet malësi, nuk japin asnjë garanci për thjeshtësinë e tyre. Ku më shumë e ku më pak, vihet re se rraca jonë është kryqëzuar me të tjera, në mos fare e zëvendsuar. Si do që të jetë e vërteta, nuk është nevojë të qëndrojmë shumë mbi këtë pikë. Puna e rracës është një “sentiment” dhe jo nje “realitet”. Pikërisht kështu është dhe puna e gjuhës. Perandoria Austro-Hungare nuk u përmbys, sepse kish shumë rraca dhe shumë gjuhë brenda. Zvicra e sotme qëndron dhe lulëzon pikërisht sepse populli i saj flet tri gjuhë dhe u përket tri rracave të ndryshme. Tani ka shumë kohë që janë kthyer përsëprapthi shumë koncepsione. Nasionalizma nuk mbështetet me vetëm mbi “Rracë” dhe “Gjuhë”. Nga pikpamja biologjike, popullin tonë do ta ndajmë në trish: Veriu, Juga, dhe Mesi, që përmbledh krahinat Berat, Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Përgjithësisht populli ynë është shumë riprodhonjës. Burrat janë të fuqishëm si meshkuj dhe gratë janë pjellore të mira. Fakti që s’jemi shumuar dhe që s’po duken shenja të mira edhe sot e gjithë ditën, se do të shumohemi, i detyrohet ekskluzivisht pamundësisë dhe pazotësisë për rritjen e atyre që lindin, një pjesë e madhe e të cilëve, evidentërisht, vdes në moshë të njomë. Mbasandaj vjen çështja e sëmundjeve dhe më në fund varfëria ekonomike. Ka mjaft arësye të besohet se popullsia e Jugës qëndron në shkallë të dytë nga pikpamja e riprodhimësisë. Në krye qëndron ajo e Veriut, e cila, pa pikë dyshimi, paraqitet edhe më e sakta nga pikpamja fizike. Në është se popullsia e Jugës është shumuar më tepër, kjo i detyrohet avantazheve që ka mbi atë të Veriut nga pikpamja e rritjes së fëmijëve dhe sidokudo nga një superioritet kultural, ekonomik dhe shoqëror. Popullsia e Mesit të Shqipërisë, mund të quhet një përzierje, në të cilën gjenden shumë karakteristika të Veriut dhe të Jugës si nga pikëpamja e rracës, ashtu dhe nga pikëpamja psikologjike. Po të hedhim një vështrim të kujdesshëm mbi karakteristikat shpirtërore të popullit tonë, do të konstatojmë se ndarja e vrazhgët biologjike, që i bëmë arbitrarisht, koincidon plotsisht mirë me disa ndryshime shpirtrore. Ndërsa Malësori i veriut, është krejt verior, i qetë, i mbyllur, konservator i qëndrueshëm dhe i fortë si në punë, ashtu dhe në mendim; burri i Jugës është inteligjent, intuitiv, liberal, impulsiv dhe jo fort i qëndrushëm. Ay i mesit të Shqipërisë ka mundësi të bëjë një sintezë, një fuzion të goditur mirë nga këto influenca të kundërta. Po nuk mjaftojnë këto ndarje, ka edhe një tjetër më me rëndësi. Branko Merxhani e ka qëlluar mirë këtë të fundit me një artikull të tij “Mbi tre Njësitë Biologjike, që kanë krijuar fetë”. Katoliku s’është martuar me myslimankën, ortodoksi me katoliken etj. Pikërisht ashtu siç nuk është martuar Veriorja me Jugorin etj. Gjithë këto ndasi, gjithë këto “frëthe psikologjike” e kanë ndarë botën tonë të vogël në thërrime të veçanta. Nën këto kushte, doemos s’ka se si të shtohet populli ynë; as që është e arsyeshme të presim një homogjenitet rracial dhe një njësi shpirtrore. Mos ushtrimi i “kryqëzimit të lirë” ka qenë fatale për ne. Mbi këtë nuk besojmë të ketë kundërshtim asnjë nga ata që e ndjejnë veten, më parë nga çdo gjë shqiptar.
Megjithkëto të këqija, megjithe këto gardhe e pengime, nuk duhet mohuar se populli ynë nuk është futur akoma në fazën e dekadencës absolute. Është, na duket, në një gjendje “stasionare” dhe ruan mirë burërrinë që e karakterizon. Sikur të mos rëndonin mbi ne kaq shumë varfëria ekonomike, sëmundjet e ndryshme dhe një lloj mode, që po përhapet për të mos u martuar (!), demografikisht ne do të ndodheshim duke ikur në të “përpjetë” .
Politika e popullsisë
Për shumë kohë ka mbretëruar në këto punët e demografisë, e ashtuquajtura politikë e “laissez faire” -it. Siç e thotë dhe vetë fjala kjo nuk është një politikë. Kësaj i thonë indiferencë. “Lëri punët të ikin natyrshëm, se ashtu është më mirë”. Kjo teori u predikua nga shkolla liberale kozmopolite u përqafua me gëzim nga shumë qeveri, që s’kishin qejf të kenë mbi krye problemet e rënda të demografisë. Sepse këto çështje nuk interesojnë popullin e sotëm dhe çdo qeveri kërkon, më parë nga të gjitha, që shikohet me sy të mirë nga ata që i japin vetëm dhe të hollat! Vetëm ata kombe, që kanë qeveritarë të mëdhenj, njerëz që i tremben gjyqit të historisë, vetëm ata shohin dhe mendojnë se ku do të ndodhen mbas 50 vjetësh. Askush më tepër se ne shqiptarët nuk ka nevojë të mendohet dhe të përkujdeset për këto punë. Për shtimin e popullsisë sonë na duhet ndjekur një politikë popullsie dinamike në shkallën më të lartë. Nga çdo kënd që të shikojmë gjendjen tonë, dhe sidomos nga pikpamja ekonomiko-politike. Përnjëherësh kemi përshtypjen se e keqia qëndron në themel: jemi pak si numur dhe nuk po ecim në udhën e një zhvillimi intensiv dhe harmonik, që ka si përfundim formimin e një populli kompakt nga të gjitha aspektet. Por, sidomos çështja e numurit, është me të vërtet tmerronjëse. Ç’mund të bëjmë? Mund të bëhen shumë gjëra. Duke rrahur mendimet ose më mirë duke filluar praktikisht nga puna, do të gjenden mënyra dhe mjete për të realizuar shumë. Përfitojmë nga ky rast dhe konkretizojmë disa mendime:
l.Taksimi i beqarëve.- Në disa nga shtetet e kontinentit europian është duke u zbatuar një ligjë që takson njëzetvjeçarët e pamartuar. Një gjë të tillë mund ta bëjmë dhe ne që kemi nevojë të shtohemi, fjala vjen, më tepër se Italia. Çdo beqar taksohet si mbas gjendjes së tij ekonomike. Katundari i varfër me 20 fr., në vit, i pasuri me 400. Italia nxjerr plot 110 milion liretta në vit nga zbatimi i këtij ligji. Tërë kjo shumë përdoret për rritjen e jetimëve. Prapë me anë të këtij ligji caktohen çmime dhe dhurata për prindërit, që rrisin një numur të madh fëmijësh. Ka një tok mënyra për propagandë dhe inkurajim në punën e shtimit të popullsisë. Duhet vënë tërë fuqia për çrrënjosjen e disa paragjykimeve, që folëm më sipër. Duhet bërë e gjithë propaganda, që është e mundur, që të martohen veriorët me jugorët, muslimanët me të krishterët etj. Duhet të jemi krejt intransigjent kundër disa fetarëve, që trazohen në këto punë, të cilat kanë të bëjnë me interesat vitale të kombit. Ne durojmë vetëm një frëth: shqiptarizmën. Ata që kërkojnë të na vënë tjetër, marrën shqelmë. 2.Ku jemi dakord se na mungojnë fonde?.. -Në shkallen e dytë vjen përnjëherësh çështja e shërbimit të shëndetësisë, e cila ngjer sot përbën një sëmundje në vetvete. Sëmundjet e ndryshme po korrin triumfalisht pa gjetur asnje gur në udhë. Korrin të rritur nga mosha, korrin foshnja në një masë tmerrësisht të madhe. Duket se të gjithë jemi dakord, që na mungojnë fondet për të bërë vepra të mëdha në lëmin e organizimit të shërbimit të shëndetësisë! Dhe harrojmë se e gjithë zotësia dhe i gjithë marifeti qëndron tek të realizuarit shumë pa pasur miliona në dispozicion! Në Shqipëri, kemi nevojë për njerëz, që të bëjnë punë pa pretenduar të bëjnë not në mes të fondeve; njerëz me gjoks të fortë, njerëz, që të kenë bindjen se do t’ia dalin në krye qëllimeve, edhe kur të mos t’i kenë të kompletuara; si ç’duhet, mjetet dhe veglat. “Atje ku ka një vullnet, ka dhe një posibilitet” thotë englezi. 3.Instalime me mend.- Në shkallën e tretë vjen çështja e kosovarëve dhe e çamëve. Në është e vërtetë, se për disa arësye politike na duhet të mos inkurajojmë zbrazjen e Kosovës dhe të Çamërisë, të paktën, ata që janë të shtrënguar të vijnë në Shqipëri duhet t’i instalojmë mirë dhe në vende të arsyeshme. Për shembull, çamerit, me sa të jetë e mundur në Veri dhe kosovarët në Jug. Autoritetet e vendit duhet të interesohen, që këta të lidhin miqësira me anën e martesave. Kësaj çështjeje i duhet dhënë një rëndësi e veçantë për shumë arsye, që s’duhen përmendur këtu. Shkurt, është besimi ynë se qeveria jonë ka në dorë shumë. Mund të bëjë që brenda pak vjetëve, të rrojnë 2 milionë shqiptarë të shëndoshë në vendin tonë. Dhe sapo të kemi marrë një herë të përpjetën, ikim vetë pastaj. Me pak shpenzime të kota për gjëra e vepra të pakuptimta dhe më tepër qejf për punë serioze dhe substanciale si këto. Kjo është receta magjike për ata, që duan të pavdekësojnë emërat e tyre.

Botuar më 1930

Filozofia që na duhet sot

Ismet TOTO

“Am Anfang Watr die Tat”(Në krye qe veprimi)

GOETHE

Spencer-i thoshte se filosofia është shkenca e shkencave. Dhe meqënëse qëllimi i shkencës është lumturia, edhe lumturia s’mund të ketë tjetër qëllim, veçse lumturinë dhe sigurimin e saj. Ç’do të thotë lumtëri? Cilat janë elementet e saj? Ja disa: Punë, shëndet, mirërrojtje vetjake dhe e përgjithshme, liri veprimi, mendimi, ndërgjegjeje etj. Njohja që na udhëheq për në fitimin e këtyre të mirave dhe shkenca që me siguri dhe pandërprerje na ndrit udhët e një përmirësimi të tërësisë kombëtare – ja, me pak fjalë, tërë shkenca dhe tërë filozofia që na duhet sot. Çapi i parë, për sigurimin e një jete të lumtur, është dashuria e jetës. Po, që ta duam jetën, s’arrin vetëm ta nderojmë, po edhe ta çmojmë. Duhet ta mbajmë lart. Jeta është kaq e shenjtë, saqë për të ruajtur shenjtërinë e saj, sakrifikon akoma dhe veten në altarin e saj. Jeta, që lihet të bjerë, të çnderohet, të tradhtohet, është jetë errësire, jetë skllavërie, jetë shtaze, jetë verbërie. Jeta që nuk është gati të sakrifikohet tek duhet dhe kur duhet; nuk është jetë; është jetë rrezile, e poshtër, e ndyrë, e përgërtë!Shokë miq! Mbajeni lart jetën! Shumë lart! Vetëm ahere do ta ndaloni rënien e saj dhe do të ndjeni turp, hidhërim, tmerr për çdo gjë që përpiqet ta çnderojë. Që të mbahet lart jeta, duhet të ndalohet rrëzimi i saj. Kant, Comte, Bergson, Freud etj,… oh! Këto filozofira s’janë filozofia që duhet në çastet tragjike. Mendimi i thellë, kompleks, i futur në rrënjët, në shkaqet e jetës, më të paduruar, më të errët. Drita e madhe e ditës së re. Drita që shkëlqen në errësirën e piksur, të trashë, të paçarë të shekujve. Drita që zbulon agimin e një epoke tjetër të panjohur, të ndershme, të lumtur. Lëvizje! Në qoftë se do të ulim kokën vetëm mbi faqet e pasosura të teorive, lumi që na mori! Mbi ne, mbi ëndrrat tona, mbi lumturinë tonë, do të shkojne vite, epoka, shekuj sa të ndezim një kandile të varfër në kalivet e mizerjes sonë mendore! Me pak mendim, me pak truajtje, më tepër lëvizje, më tepër kurajo! Udha e jonë s’duhet të shkojë nga fushat. S’kemi kohë për një udhë të tillë. Për të arritur qëllimin tonë, nuk do të shkojmë nga udhërat dhe monopatet e fushavet e të malevet, po do të fluturojmë nga bregu në breg, si zogj me krahë hapur.* * *”Ne krye qe veprimi!” Vepra! Fakti! Lëvizja! Puno për lumturinë e njeriut dhe për shpëtimin e shoqërisë, pa u çlodhur, pa u tallandisur as një çast. Një e rreme zotëron rreth e rrotull. Mos shiko as prapa, as djathtas, as mengjazi; shiko drejt përpara. Puno me ballë lart, me sytë përpara dhe kënaqësinë tënde, ëndrrën tënde, gjeje në kornizën e një pune të tillë. Në çdo punë ka, pak a shumë, një krijim. Krijimi është kënaqësia më e madhe. Eshtë vjersha e jetës. Artisti, poeti, s’kane nevojë për duartrokitje, s’kanë nevojë për shpërblime. U arrit vepra. Kur kjo filozofi do të zaptojë shpirtrat tanë, janë të tepërta të gjitha ato porosira që quhen morale, të gjithë titujt.”Elemëntet e lumturisë së jetës gjenden brenda në jetë” thoshte Guyua-i, menduesi frëng më i madh e me i freshkët i shekullit të shkuar. Dhe u bërtiste të rinjve:”Mos u mundoni kot të mbushni kokat me njohje, që s’do t’ju duhen. Në kokat tuaja mos të hyjë asnjë njohje që nuk bën ndonjë shërbim, që nuk bie nonjë dobi në jetë e në lumturi. Gjërat e kota të mos e zënë vendin e gjërave të dobishme”.* * *Jeta është e shenjtë, po shenjtëria dhe pastërtia e jetës janë më të shenjta. Mendo lirisht. Mos prit gjë as nga qielli, as nga dheu, as nga shteti, as nga shoqëria. Qëndro në këmbët e tua dhe mbështetu vetëm mbi vetëhe tënde. Mos ec as djathtazi, as mëngjazi. Ti je qendra. Ti je e ardhmja. Mos le të të çfrutojë njeri dhe tjetri. Këta i ndan vetëm mëria dhe zihen vetëm me jorganin, i cili u gris dhe u bë për të frëngëlluar. Mbaji të lira e të pastra duart e tua për këtë punë!Kërko dritë dhe shpërndaj dritë. Rri i pastër dhe mos u tremb! Do të bëhesh i fortë dhe do të japësh fuqi. Po të qëndrosh në vend, je një burim energjie të pasur. Po të shkasësh herë djathtazi, e herë mëngjazi, bie viktimë e mirësisë tënde. Të marrin me të mirë, kur u hyn në punë. Çfrutojnë ndjenjat e tua fisnike që të realizojnë qëllimet e tyre të errta dhe pasionet etyre të ndyta. Dhe njëri dhe tjetri! Hiq udhën tënde dhe lëri mënjanë. Ti shiko punën tënde. Le që fryma krijonjëse e përpjekjes tënde të shpërndahet në të gjitha drejtimet, që të mundë një ditë të fryjë era jote në Atdheun e ëndëruar. Mos le të ta vjedhin të tjerët pasurinë tënde morale. Shpërndaje vetë ti. Do të shohësh, se si do të përhapet shpejt -shpejt, edhe sa më shpejt që të përhapet, kaq më shumë do të shtohet pasuria morale e shpirtit tënd të nxehtë e të ndritur. Dëgjo se ç’thotë Carlyle-i: Po të gjesh përpara një të rreme që të mundon, hidhju përsipër dhe përmbyse. Të rremat dalin përpara që të përmbysen”.Karakter! Karakter! Duke dëgjuar këtë fjalë, tani mos sill ndër mend kuptimet aristoteliane ose teofrastiane ose labyeriane. Dhe që të shpjegohemi mirë-mirë, mos bjer ndër mend as edhe përcaktimet më filozofike, më të rënda e më të thella të mësuesit gjenial të Koenigsberg-ut. Sot për sot mendo e fol vetëm për karaktere morale. Kjo arrin. Kjo njohje e karakterit moral arrin boll-boll që të zotërojë ideja se njeriu ndjen nevojën të gjejë përsëri pikat e mbështetjes së tij vetëm në veten e tij, kjo ide e autonomisë njerëzore zotëron gjithnjë. Dhe atje ku zotëron, ka bërë triumfe e mrekullira. Atje ku janë zhvilluar dhe imponuar karakteret morale, interesi shoqëror dhe ideali shoqëror kanë dhënë luftën e fundit dhe kanë fituar. Ndjenja e sakrificës, guximit, autonomisë, lirisë së mendimit dhe përgjegjësisë, u forcuan, burokratia u dobësua, frika e abuzimit të lirisë u paksua, gjurmimet dhe provat u shtuan, u shumuan të gjitha mundësitë e zhvillimit të fuqive natyrale njerëzore dhe të virtyteve shoqërore. Jeta fitoi burrime të reja dhe njeriu i së ardhmes hyri në udhën e lindjes së tij…Ta them edhe një herë, o shok: çdo gjë që të bësh, ta bësh vetë. Çdo gjë që të kërkosh, ta gjesh vetë brenda në veten tënde. Mos humbit, mos u shpërndaj. Bashko të gjitha fuqitë e tua, dëndëro rradhët e tua, nderju dorën shokëve të tu, qëndro nën flamurin e brezit tënd. Kij mendjen të mos e pësosh si e ke pësuar dikur!

Botuar më 1934