Archive for the ‘ Neoshqiptarizmi ’ Category

Për një “politikë popullsie”

Ismet TOTO,

Demografia, ose “politika e popullatës”, si e quajnë tashti së fundi, është një shkencë më vete dhe, si e tillë, ka ligjet dhe mënyrat e saj. Për të studiuar një shoqëri njerëzore “demografikisht” lypsen njohur një tok elementesh dhe gjendje që shtrihen në “kohë”. Shumica e këtyre, zakonisht përkthehet në shifra. Në Shqipëri mungojnë statistikat dhe studimet për kohën e kaluar prej të cilave do të rezultonte se çfarë është e “përhershme në ndryshuarshmërinë”. E keqja shtohet kur mendojmë se dhe ato pak kartëra që pretendojnë të na japin pasqyrën e realitetit të sotëm, nuk janë të kënaqshme dhe aq më pak, të besuarshme. Regjistrimi i popullsisë që u bë së fundi, ishte një tentativë për të caktuar numurin e banorëve; asgjë më tepër. Në këtë mënyrë, pra, e vetmja gjë që dihet me siguri në rastin tonë, është që popullsia brenda kufive të mbretërisë vërtitet rreth milionit. Njëqind e një pyetjet e tjera që kërkojnë një studim, pak a shumë serioz, mbeten pa përgjigje. Me qenë, pra, se elementet bazale për një studim shkencor mungojnë, është nevojë ta themi që në krye, se qëllimi i këtij artikulli është të tërheqë vëmendjen e klasës studjonjëse shqiptare mbi këtë problem, i cili, pa tjetër, është nga të radhës parë për Kombin.
Vija të trasha
Gjendja jonë e sotme paraqitet origjinale nga shumë pikëpamje. Jemi një popull, pothuaj, parahistorik dhe jemi një shtet i porsalindur. A mund të pretendojmë në një “kulluetesi rraciale”? Me fjalë të tjera e thënë shqip, a jemi të një gjaku? A jemi të një barku? Biologjikisht nuk gjendet asnjë vërtetim. Ngjarjet historike dhe sidomos realiteti i sotëm, dëshmojnë të kundërtën. Nëqoftë se Myzeqeja paraqet një heterogjenitet të madh nga pikpamja e rracës, edhe të famshmet malësi, nuk japin asnjë garanci për thjeshtësinë e tyre. Ku më shumë e ku më pak, vihet re se rraca jonë është kryqëzuar me të tjera, në mos fare e zëvendsuar. Si do që të jetë e vërteta, nuk është nevojë të qëndrojmë shumë mbi këtë pikë. Puna e rracës është një “sentiment” dhe jo nje “realitet”. Pikërisht kështu është dhe puna e gjuhës. Perandoria Austro-Hungare nuk u përmbys, sepse kish shumë rraca dhe shumë gjuhë brenda. Zvicra e sotme qëndron dhe lulëzon pikërisht sepse populli i saj flet tri gjuhë dhe u përket tri rracave të ndryshme. Tani ka shumë kohë që janë kthyer përsëprapthi shumë koncepsione. Nasionalizma nuk mbështetet me vetëm mbi “Rracë” dhe “Gjuhë”. Nga pikpamja biologjike, popullin tonë do ta ndajmë në trish: Veriu, Juga, dhe Mesi, që përmbledh krahinat Berat, Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Përgjithësisht populli ynë është shumë riprodhonjës. Burrat janë të fuqishëm si meshkuj dhe gratë janë pjellore të mira. Fakti që s’jemi shumuar dhe që s’po duken shenja të mira edhe sot e gjithë ditën, se do të shumohemi, i detyrohet ekskluzivisht pamundësisë dhe pazotësisë për rritjen e atyre që lindin, një pjesë e madhe e të cilëve, evidentërisht, vdes në moshë të njomë. Mbasandaj vjen çështja e sëmundjeve dhe më në fund varfëria ekonomike. Ka mjaft arësye të besohet se popullsia e Jugës qëndron në shkallë të dytë nga pikpamja e riprodhimësisë. Në krye qëndron ajo e Veriut, e cila, pa pikë dyshimi, paraqitet edhe më e sakta nga pikpamja fizike. Në është se popullsia e Jugës është shumuar më tepër, kjo i detyrohet avantazheve që ka mbi atë të Veriut nga pikpamja e rritjes së fëmijëve dhe sidokudo nga një superioritet kultural, ekonomik dhe shoqëror. Popullsia e Mesit të Shqipërisë, mund të quhet një përzierje, në të cilën gjenden shumë karakteristika të Veriut dhe të Jugës si nga pikëpamja e rracës, ashtu dhe nga pikëpamja psikologjike. Po të hedhim një vështrim të kujdesshëm mbi karakteristikat shpirtërore të popullit tonë, do të konstatojmë se ndarja e vrazhgët biologjike, që i bëmë arbitrarisht, koincidon plotsisht mirë me disa ndryshime shpirtrore. Ndërsa Malësori i veriut, është krejt verior, i qetë, i mbyllur, konservator i qëndrueshëm dhe i fortë si në punë, ashtu dhe në mendim; burri i Jugës është inteligjent, intuitiv, liberal, impulsiv dhe jo fort i qëndrushëm. Ay i mesit të Shqipërisë ka mundësi të bëjë një sintezë, një fuzion të goditur mirë nga këto influenca të kundërta. Po nuk mjaftojnë këto ndarje, ka edhe një tjetër më me rëndësi. Branko Merxhani e ka qëlluar mirë këtë të fundit me një artikull të tij “Mbi tre Njësitë Biologjike, që kanë krijuar fetë”. Katoliku s’është martuar me myslimankën, ortodoksi me katoliken etj. Pikërisht ashtu siç nuk është martuar Veriorja me Jugorin etj. Gjithë këto ndasi, gjithë këto “frëthe psikologjike” e kanë ndarë botën tonë të vogël në thërrime të veçanta. Nën këto kushte, doemos s’ka se si të shtohet populli ynë; as që është e arsyeshme të presim një homogjenitet rracial dhe një njësi shpirtrore. Mos ushtrimi i “kryqëzimit të lirë” ka qenë fatale për ne. Mbi këtë nuk besojmë të ketë kundërshtim asnjë nga ata që e ndjejnë veten, më parë nga çdo gjë shqiptar.
Megjithkëto të këqija, megjithe këto gardhe e pengime, nuk duhet mohuar se populli ynë nuk është futur akoma në fazën e dekadencës absolute. Është, na duket, në një gjendje “stasionare” dhe ruan mirë burërrinë që e karakterizon. Sikur të mos rëndonin mbi ne kaq shumë varfëria ekonomike, sëmundjet e ndryshme dhe një lloj mode, që po përhapet për të mos u martuar (!), demografikisht ne do të ndodheshim duke ikur në të “përpjetë” .
Politika e popullsisë
Për shumë kohë ka mbretëruar në këto punët e demografisë, e ashtuquajtura politikë e “laissez faire” -it. Siç e thotë dhe vetë fjala kjo nuk është një politikë. Kësaj i thonë indiferencë. “Lëri punët të ikin natyrshëm, se ashtu është më mirë”. Kjo teori u predikua nga shkolla liberale kozmopolite u përqafua me gëzim nga shumë qeveri, që s’kishin qejf të kenë mbi krye problemet e rënda të demografisë. Sepse këto çështje nuk interesojnë popullin e sotëm dhe çdo qeveri kërkon, më parë nga të gjitha, që shikohet me sy të mirë nga ata që i japin vetëm dhe të hollat! Vetëm ata kombe, që kanë qeveritarë të mëdhenj, njerëz që i tremben gjyqit të historisë, vetëm ata shohin dhe mendojnë se ku do të ndodhen mbas 50 vjetësh. Askush më tepër se ne shqiptarët nuk ka nevojë të mendohet dhe të përkujdeset për këto punë. Për shtimin e popullsisë sonë na duhet ndjekur një politikë popullsie dinamike në shkallën më të lartë. Nga çdo kënd që të shikojmë gjendjen tonë, dhe sidomos nga pikpamja ekonomiko-politike. Përnjëherësh kemi përshtypjen se e keqia qëndron në themel: jemi pak si numur dhe nuk po ecim në udhën e një zhvillimi intensiv dhe harmonik, që ka si përfundim formimin e një populli kompakt nga të gjitha aspektet. Por, sidomos çështja e numurit, është me të vërtet tmerronjëse. Ç’mund të bëjmë? Mund të bëhen shumë gjëra. Duke rrahur mendimet ose më mirë duke filluar praktikisht nga puna, do të gjenden mënyra dhe mjete për të realizuar shumë. Përfitojmë nga ky rast dhe konkretizojmë disa mendime:
l.Taksimi i beqarëve.- Në disa nga shtetet e kontinentit europian është duke u zbatuar një ligjë që takson njëzetvjeçarët e pamartuar. Një gjë të tillë mund ta bëjmë dhe ne që kemi nevojë të shtohemi, fjala vjen, më tepër se Italia. Çdo beqar taksohet si mbas gjendjes së tij ekonomike. Katundari i varfër me 20 fr., në vit, i pasuri me 400. Italia nxjerr plot 110 milion liretta në vit nga zbatimi i këtij ligji. Tërë kjo shumë përdoret për rritjen e jetimëve. Prapë me anë të këtij ligji caktohen çmime dhe dhurata për prindërit, që rrisin një numur të madh fëmijësh. Ka një tok mënyra për propagandë dhe inkurajim në punën e shtimit të popullsisë. Duhet vënë tërë fuqia për çrrënjosjen e disa paragjykimeve, që folëm më sipër. Duhet bërë e gjithë propaganda, që është e mundur, që të martohen veriorët me jugorët, muslimanët me të krishterët etj. Duhet të jemi krejt intransigjent kundër disa fetarëve, që trazohen në këto punë, të cilat kanë të bëjnë me interesat vitale të kombit. Ne durojmë vetëm një frëth: shqiptarizmën. Ata që kërkojnë të na vënë tjetër, marrën shqelmë. 2.Ku jemi dakord se na mungojnë fonde?.. -Në shkallen e dytë vjen përnjëherësh çështja e shërbimit të shëndetësisë, e cila ngjer sot përbën një sëmundje në vetvete. Sëmundjet e ndryshme po korrin triumfalisht pa gjetur asnje gur në udhë. Korrin të rritur nga mosha, korrin foshnja në një masë tmerrësisht të madhe. Duket se të gjithë jemi dakord, që na mungojnë fondet për të bërë vepra të mëdha në lëmin e organizimit të shërbimit të shëndetësisë! Dhe harrojmë se e gjithë zotësia dhe i gjithë marifeti qëndron tek të realizuarit shumë pa pasur miliona në dispozicion! Në Shqipëri, kemi nevojë për njerëz, që të bëjnë punë pa pretenduar të bëjnë not në mes të fondeve; njerëz me gjoks të fortë, njerëz, që të kenë bindjen se do t’ia dalin në krye qëllimeve, edhe kur të mos t’i kenë të kompletuara; si ç’duhet, mjetet dhe veglat. “Atje ku ka një vullnet, ka dhe një posibilitet” thotë englezi. 3.Instalime me mend.- Në shkallën e tretë vjen çështja e kosovarëve dhe e çamëve. Në është e vërtetë, se për disa arësye politike na duhet të mos inkurajojmë zbrazjen e Kosovës dhe të Çamërisë, të paktën, ata që janë të shtrënguar të vijnë në Shqipëri duhet t’i instalojmë mirë dhe në vende të arsyeshme. Për shembull, çamerit, me sa të jetë e mundur në Veri dhe kosovarët në Jug. Autoritetet e vendit duhet të interesohen, që këta të lidhin miqësira me anën e martesave. Kësaj çështjeje i duhet dhënë një rëndësi e veçantë për shumë arsye, që s’duhen përmendur këtu. Shkurt, është besimi ynë se qeveria jonë ka në dorë shumë. Mund të bëjë që brenda pak vjetëve, të rrojnë 2 milionë shqiptarë të shëndoshë në vendin tonë. Dhe sapo të kemi marrë një herë të përpjetën, ikim vetë pastaj. Me pak shpenzime të kota për gjëra e vepra të pakuptimta dhe më tepër qejf për punë serioze dhe substanciale si këto. Kjo është receta magjike për ata, që duan të pavdekësojnë emërat e tyre.

Botuar më 1930

Filozofia që na duhet sot

Ismet TOTO

“Am Anfang Watr die Tat”(Në krye qe veprimi)

GOETHE

Spencer-i thoshte se filosofia është shkenca e shkencave. Dhe meqënëse qëllimi i shkencës është lumturia, edhe lumturia s’mund të ketë tjetër qëllim, veçse lumturinë dhe sigurimin e saj. Ç’do të thotë lumtëri? Cilat janë elementet e saj? Ja disa: Punë, shëndet, mirërrojtje vetjake dhe e përgjithshme, liri veprimi, mendimi, ndërgjegjeje etj. Njohja që na udhëheq për në fitimin e këtyre të mirave dhe shkenca që me siguri dhe pandërprerje na ndrit udhët e një përmirësimi të tërësisë kombëtare – ja, me pak fjalë, tërë shkenca dhe tërë filozofia që na duhet sot. Çapi i parë, për sigurimin e një jete të lumtur, është dashuria e jetës. Po, që ta duam jetën, s’arrin vetëm ta nderojmë, po edhe ta çmojmë. Duhet ta mbajmë lart. Jeta është kaq e shenjtë, saqë për të ruajtur shenjtërinë e saj, sakrifikon akoma dhe veten në altarin e saj. Jeta, që lihet të bjerë, të çnderohet, të tradhtohet, është jetë errësire, jetë skllavërie, jetë shtaze, jetë verbërie. Jeta që nuk është gati të sakrifikohet tek duhet dhe kur duhet; nuk është jetë; është jetë rrezile, e poshtër, e ndyrë, e përgërtë!Shokë miq! Mbajeni lart jetën! Shumë lart! Vetëm ahere do ta ndaloni rënien e saj dhe do të ndjeni turp, hidhërim, tmerr për çdo gjë që përpiqet ta çnderojë. Që të mbahet lart jeta, duhet të ndalohet rrëzimi i saj. Kant, Comte, Bergson, Freud etj,… oh! Këto filozofira s’janë filozofia që duhet në çastet tragjike. Mendimi i thellë, kompleks, i futur në rrënjët, në shkaqet e jetës, më të paduruar, më të errët. Drita e madhe e ditës së re. Drita që shkëlqen në errësirën e piksur, të trashë, të paçarë të shekujve. Drita që zbulon agimin e një epoke tjetër të panjohur, të ndershme, të lumtur. Lëvizje! Në qoftë se do të ulim kokën vetëm mbi faqet e pasosura të teorive, lumi që na mori! Mbi ne, mbi ëndrrat tona, mbi lumturinë tonë, do të shkojne vite, epoka, shekuj sa të ndezim një kandile të varfër në kalivet e mizerjes sonë mendore! Me pak mendim, me pak truajtje, më tepër lëvizje, më tepër kurajo! Udha e jonë s’duhet të shkojë nga fushat. S’kemi kohë për një udhë të tillë. Për të arritur qëllimin tonë, nuk do të shkojmë nga udhërat dhe monopatet e fushavet e të malevet, po do të fluturojmë nga bregu në breg, si zogj me krahë hapur.* * *”Ne krye qe veprimi!” Vepra! Fakti! Lëvizja! Puno për lumturinë e njeriut dhe për shpëtimin e shoqërisë, pa u çlodhur, pa u tallandisur as një çast. Një e rreme zotëron rreth e rrotull. Mos shiko as prapa, as djathtas, as mengjazi; shiko drejt përpara. Puno me ballë lart, me sytë përpara dhe kënaqësinë tënde, ëndrrën tënde, gjeje në kornizën e një pune të tillë. Në çdo punë ka, pak a shumë, një krijim. Krijimi është kënaqësia më e madhe. Eshtë vjersha e jetës. Artisti, poeti, s’kane nevojë për duartrokitje, s’kanë nevojë për shpërblime. U arrit vepra. Kur kjo filozofi do të zaptojë shpirtrat tanë, janë të tepërta të gjitha ato porosira që quhen morale, të gjithë titujt.”Elemëntet e lumturisë së jetës gjenden brenda në jetë” thoshte Guyua-i, menduesi frëng më i madh e me i freshkët i shekullit të shkuar. Dhe u bërtiste të rinjve:”Mos u mundoni kot të mbushni kokat me njohje, që s’do t’ju duhen. Në kokat tuaja mos të hyjë asnjë njohje që nuk bën ndonjë shërbim, që nuk bie nonjë dobi në jetë e në lumturi. Gjërat e kota të mos e zënë vendin e gjërave të dobishme”.* * *Jeta është e shenjtë, po shenjtëria dhe pastërtia e jetës janë më të shenjta. Mendo lirisht. Mos prit gjë as nga qielli, as nga dheu, as nga shteti, as nga shoqëria. Qëndro në këmbët e tua dhe mbështetu vetëm mbi vetëhe tënde. Mos ec as djathtazi, as mëngjazi. Ti je qendra. Ti je e ardhmja. Mos le të të çfrutojë njeri dhe tjetri. Këta i ndan vetëm mëria dhe zihen vetëm me jorganin, i cili u gris dhe u bë për të frëngëlluar. Mbaji të lira e të pastra duart e tua për këtë punë!Kërko dritë dhe shpërndaj dritë. Rri i pastër dhe mos u tremb! Do të bëhesh i fortë dhe do të japësh fuqi. Po të qëndrosh në vend, je një burim energjie të pasur. Po të shkasësh herë djathtazi, e herë mëngjazi, bie viktimë e mirësisë tënde. Të marrin me të mirë, kur u hyn në punë. Çfrutojnë ndjenjat e tua fisnike që të realizojnë qëllimet e tyre të errta dhe pasionet etyre të ndyta. Dhe njëri dhe tjetri! Hiq udhën tënde dhe lëri mënjanë. Ti shiko punën tënde. Le që fryma krijonjëse e përpjekjes tënde të shpërndahet në të gjitha drejtimet, që të mundë një ditë të fryjë era jote në Atdheun e ëndëruar. Mos le të ta vjedhin të tjerët pasurinë tënde morale. Shpërndaje vetë ti. Do të shohësh, se si do të përhapet shpejt -shpejt, edhe sa më shpejt që të përhapet, kaq më shumë do të shtohet pasuria morale e shpirtit tënd të nxehtë e të ndritur. Dëgjo se ç’thotë Carlyle-i: Po të gjesh përpara një të rreme që të mundon, hidhju përsipër dhe përmbyse. Të rremat dalin përpara që të përmbysen”.Karakter! Karakter! Duke dëgjuar këtë fjalë, tani mos sill ndër mend kuptimet aristoteliane ose teofrastiane ose labyeriane. Dhe që të shpjegohemi mirë-mirë, mos bjer ndër mend as edhe përcaktimet më filozofike, më të rënda e më të thella të mësuesit gjenial të Koenigsberg-ut. Sot për sot mendo e fol vetëm për karaktere morale. Kjo arrin. Kjo njohje e karakterit moral arrin boll-boll që të zotërojë ideja se njeriu ndjen nevojën të gjejë përsëri pikat e mbështetjes së tij vetëm në veten e tij, kjo ide e autonomisë njerëzore zotëron gjithnjë. Dhe atje ku zotëron, ka bërë triumfe e mrekullira. Atje ku janë zhvilluar dhe imponuar karakteret morale, interesi shoqëror dhe ideali shoqëror kanë dhënë luftën e fundit dhe kanë fituar. Ndjenja e sakrificës, guximit, autonomisë, lirisë së mendimit dhe përgjegjësisë, u forcuan, burokratia u dobësua, frika e abuzimit të lirisë u paksua, gjurmimet dhe provat u shtuan, u shumuan të gjitha mundësitë e zhvillimit të fuqive natyrale njerëzore dhe të virtyteve shoqërore. Jeta fitoi burrime të reja dhe njeriu i së ardhmes hyri në udhën e lindjes së tij…Ta them edhe një herë, o shok: çdo gjë që të bësh, ta bësh vetë. Çdo gjë që të kërkosh, ta gjesh vetë brenda në veten tënde. Mos humbit, mos u shpërndaj. Bashko të gjitha fuqitë e tua, dëndëro rradhët e tua, nderju dorën shokëve të tu, qëndro nën flamurin e brezit tënd. Kij mendjen të mos e pësosh si e ke pësuar dikur!

Botuar më 1934

Ismet Toto

Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen.”
Ismet Toto - Tepelena ne ShekujLindi në Progonat-Tepelenë dhe në moshën 29 vjeçare, në vitin 1937 u var në litar pas dështimit të lëvizjes antizogiste të Delvinës. Ai ishte më i riu i një plejade neoshqiptariste studiuesish, gazetarësh, kritikësh dhe shkrimtarësh të cilët u shquan për talent, aftësi, intersa të gjera dhe erudicion, guxim qytetar dhe prirje për për shtigje të pashkelura. Ismet Toto përfaqëson intelektualin që i kthen krahët orientit dhe idealeve të mumifikuara dhe që përvojën oksidentale e she si alternativën më të mirë për një filozofi dhe moral kombëtar, për një kulturë të vërtetë shqiptare. Eshtë njeriu që i kundërvihet koncepteve anadollake dhe bën kryefjalë të vet gjallërimit shpirtëror të popullit, lartësimin e qytetërimit tonë të lashtë . S’është e lehtë t’a përkufizosh, e për më tepër t’i vësh një emërues të përbashkët vlerave të Ismet Totos jo vetëm sepse u nda shpejt nga jeta por edhe sepse punoi dhe krijoi në fusha të ndryshme. U njoh si gazetar, letrar, biograf e përkthyes. Botoi prozë e poezi, shkroi artikuj problematik, përktheu veprea filozofike, polemizoi. Shumica mbetën të shpërndara në shtypin e kohës, ose në dorëshkrime. Librat që mbajnë emrin e tij janë biografia Gazi-Kemal Ataturk (19935), polemika Grindje me klerin (19934) dhe përkthimi Heronjtë e mendimit : Platoni (1936). Një përmbledhje u dërgua në shtyp më 1944 me titullin Bota e një djali kryengritës, por nuk u botua dhe humbi. Sdq një portret i tij del i qartë, ai qëndron mes krijuesit dhe mendimtarit, në veprat e tij harmonizohet tharmi filozofik me shprehjen artisitke dhe publicistike. Mënyra e tij e të shprehurit është e butë dhe humane por pas saj vihet re vendosmëria dhe karakteri i fortë. Kredoja e bindjeve të Ismet Totos pasqyrohet me një qartësi tronditëse në letrën e shkruar në prag të egzekutimit dhe botuar nën titullin De profundis : “Bota nukështë e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen.” Aftësitë e gjera dalin në pah edhe në biografinë “Gazi-Kemal Ataturk”. Ky libër jo vetëm u prit mirë nga lexuesi dhe kritika , por u përshëndet dhe u vlerësua edhe vet nga Mustafa Qemali. Traditës së varfër bigrafike iu shtua me të një vepër plot merita si nga nivelim dhe nga serioziteti shkencor por edhe nga karakteri tregimtar. Eshtë një vepër që i ika qëndruar kohës dhe mund të lexohet edhe sot me ëndje dhe fitim. Ismet Toto nuk mund të kuptohet pa angazhimin total në luftën për një lëvizje mendore shqiptare. I etur për dituri, gjithë vullnet e përkushtim, ai bëhet një intelektual i formuar, erudit dhe me kulturë të gjerë filozofike. Gjithë sa merr e përthith dhe e shpreh qartë e thjeshtë në përqasje me nevojat e vëndit. Duke qënë luftëtar i lirisë së mendimit, adhurues i shkencës, armik i obskurantizmit ai do të ishte për një ndergjegje të lartë kombëtare dhe për një shëndet shpirtëror të popullit shqiptar. Për ti ardhur në ndihmë kulturës shqiptare, që kishte aq mangesi aso kohe ai botoi “Platonin” dhe përpara tij po përgatiste “Volterin” dhe kolosë të tjerë të mendimit. Mirpo ky hop dhe këto aspirata u prenë sëbashku me jetën e tij në Nëntor të ’37, në oborrin e burgut të Gjirokastrës, përballë një trekëmbshi. Tirania u hakmorr egërsisht ndaj një intelektuali kryengritës, kur mendimi shqiptar kërkonte me guxim shtigje liridashës.

Nasho Jorgaqi “Fan Noli dhe te tjeret”

Diktatura e ndritur e Neoshqiptarve

Në vitet 30-të krahas rrymës zogiste, e cila shprehte interesat e shtresave në fuqi, dolën në arenën e luftës ideologjike edhe disa rryma të tjera me ngjyrë borgjeze që përfaqësoheshin nga grupe intelektualësh borgjezë. Të tilla ishin ideologjia e “të rinjve” apo e “diktaturës së ndritur”, si dhe ajo e “neoshqiptarizmës”.Këto shprehën interesat e borgjezisë, e cila në këtë periudhë bëri përparime në fushat ekonomike dhe politike dhe kërkonte të forconte më tej pozitat e saj përballë klasës së bejlerëve çifligarë që kishin ende peshë të ndjeshme në jetën e vendit e sidomos përballë lëvizjeve të masave popullore e të rretheve demokratike që i rrezikonin këto pozita. Borgjezia shqiptare, nuk ishte aq e fortë ekonomikisht dhe politikisht, sa të mënjanonte klasën çifligare. Ajo nuk ishte në gjendje të shkatërronte marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore që kishin krijuar bejlerët dhe të krijonte një strukturë të përshtatshme borgjeze. Kritikat ndaj bejlerëve u shprehën në ideologjinë borgjeze, ku “orientalizmi” shikohej si një plagë prapambetjeje dhe perëndimi lavdërohej dhe duhej marrë si model për Shqipërinë.Por, borgjezia e dobët parapëlqeu rrugën e zhvillimit të ngadalshëm kapitalist pa konflikte shoqërore. Në këtë rrugë kishte hyrë edhe ekonomia çifligare edhe pse ruante ende mbeturina të sistemit të vjetër. Borgjezia ishte për një farë kompromisi me çifligarët për të përballuar lëvizjet revolucionare, për të ruajtur statuskuonë e rendit çifligaro-borgjez, stabilitetin shoqëror. Në kuadrin e këtij rendi dhe në përputhje me forcimin gradual të pozitave të veta ekonomiko-shoqërore, borgjezia u mundua të rriste ndikimin edhe në shtet, në qeverisjen e vendit, gjithashtu të bënte të mbizotëronte kultura e mentaliteti borgjez (perëndimor). Ajo kërkonte një ndarje më të drejtë të pushtetit me klasën çifligare. Kjo u pasqyrua edhe në ideologjinë e saj. Në këtë ideologji mbizotëroi më shumë ana politiko-kulturore e zhvillimit borgjez, sesa ajo ekonomiko-shoqërore.Regjimi zogist, nën presionin e borgjezisë, mori disa masa në të mirë të saj. Me këtë rast ai forcoi dhe bazën e tij shoqërore. Këto i paraqiti si masa qytetëruese për popullin dhe kombin. Vetë borgjezia shqiptare nëpërmjet ideologëve të saj, idetë dhe përpjekjet për plotësimin e aspiratave të veta i paraqiti si në të mirë të popullit e zhvillimit. Ideologjia borgjeze, pavarësisht nga disa kritika kundër feudalizmit dhe hedhjes së ideve të përgjithshme të përparimit dhe qytetërimit, ishte një ideologji konservatore dhe kundër liberalizmit. Ajo ishte kundër reformimit të bazave të rendit çifligaro-borgjez dhe kundër rendit demokratik. Konservatorizmi i saj u shpreh ndër të tjera në sigurimin e progresit me anë të kompromisit çifligaro-borgjez, me anë të konformizmit politik me regjimin si dhe me anë të zhvillimit të ideve, të evoluimit të mentalitetit. Kjo borgjezi ishte kundër lëvizjeve popullore dhe ideologëve “përparimtarë” që kërkuan të vendosej në Shqipëri rendi “demokratiko-borgjez”. Karakteri konservator i ideologjisë borgjeze të asaj kohe dëshmohet edhe nga ndikimi që pati nga ideologjitë e tjera perëndimore.Rrymat borgjeze përfaqësuan kryesisht idetë e shkollave dhe sistemeve filozofike e sociologjike perëndimore, përfshi dhe ato fashiste. Këto ide përputheshin me aspiratat e interesat e klasës borgjeze shqiptare.“Të rinjtë” të vetëquajtur kështu, sepse u dalluan nga polemika me “të vjetrit” që përfaqësonin klasën çifligare dhe nëpunësit e lartë që rridhnin prej saj. Ata u quajtën në fillim “neoshqiptarë” që ishte e njëjta gjë me “të rinjtë”, por që më pas u quajtën “të rinj” sepse donin të bënin dallim midis “neoshqiptarëve” që drejtoheshin nga Branko Merxhani e shokë.Interesi themelor i “të rinjve” ishte sigurimi i stabilitetit shoqëror përballë luftës së klasave. “Të rinjtë” i shtjelluan idetë e tyre në disa organe si gazetat “Arbëria”, “Rilindja e Arbërisë”, “Vullneti i Arbërisë” dhe revista “Iliria”.Në këtë grup bënin pjesë, Ismet Toto, Nebil Çika, Mehmet Konica, Seit Qemali, etj. Këta filluan aktivitetin e tyre pas shpalljes së monarkisë. Ata ishin kundër “orientalizmit” të vendit dhe klasës që e përfaqësonte. Vendi duhej të drejtohej nga idetë borgjeze. Modelin më të mirë të këtyre ideve dhe të rregullimit shoqëror perëndimor, “të rinjtë” e shikonin tek doktrinat fashiste. “Të rinjtë” kritikonin ashpër “të vjetrit” që cilësoheshin si trashëgimtarë të Turqisë osmane dhe që ishin pjesë e administratës më të keqe në Europë.Kusht për “oksidentalizmin” e vendit ishte përhapja e ideologjisë së re nga elita e kulturuar. Ashtu si dhe “neoshqiptarët”, “të rinjtë” nuk u organizuan në një parti politike, por u përpoqën që politikën borgjeze ta paraqitnin si sferë të ideve të pastra, jashtë interesave të klasave e grupeve të ndryshme.“Të rinjtë” shprehën një sërë pikëpamjesh, të cilat ishin kundër lëvizjeve revolucionare dhe huajtën nga fashizmi urrejtjen për liberalët. Në qendër të tyre ishte ideja e diktaturës së ndritur. Këto pikëpamje pohonin vendosjen e një diktature të tipit fashist në Shqipëri, të një sistemi totalitar, dhe të edukimit të brezit të ri me frymën fashiste, likuidimit të luftës së klasave me metodat fashiste, si dhe krijimit të një elite sipas modelit fashist që do të sundonte mbi popullin. Kjo elitë apo klasë vepruese, do të shërbente si shtylla kurrizore e regjimit. Ideologjia fashiste dhe sistemi fashist duhej të bëheshin pjesë e pandarë e jetës kombëtare.“Të rinjtë” ushqyen përbuzje ndaj masave popullore, i konsideronin të paformuara nga pikëpamja e vetëdijes dhe e kulturës, të paafta për të zhvilluar veprimtari politike shoqërore dhe për t’u përfshirë në jetën kombëtare. Kriter themelor për një vlerësim të tillë merrej ndërgjegjja shoqërore, kultura. Masat punonjëse konsideroheshin pa ndërgjegje politike-shoqërore, e cila iu atribuohej vetëm njerëzve të zgjedhur e me kulturë që ngriheshin mbi turmën dhe e drejtonin atë. Masat nuk duhej të kishin të drejta politike, liria e shtypit në vend duhej t’u garantohej vetëm atyre që dinin ta përdornin. Shtypi duhej të ishte në duart e njerëzve të zotë e të stërvitur, si dhe të pastër e të kulluar, ashtu siç e konsideronin veten të rinjtë.Në Shqipëri nuk duhej të kishte zgjedhje të lira, populli nuk duhej të zgjidhte dhe të zgjidhej lirisht. Zgjedhje nuk duhej të kishte deri sa shtetasit të kishin diplomën e liceut, dhe të ishin njerëz të informuar për punët e shtetit, ashtu siç është një ministër, një deputet apo një gazetar.Ismet Toto i ndante njerëzit në “njerëz që ndjejnë përgjegjësi dhe në ata që nuk ndjejnë”. Njerëzit që ndjenin përgjegjësi për fatet e kombit, që ishin të pajisur me vetëdije të zhvilluar e me kulturë, bënin pjesë në elitën, ndërsa ata që nuk ndjenin ishin shumica e popullit. Këto ide kishin ndikimin e filozofëve të mëdhenj si Tomas Karlajli e Frederik Niçe. Nën ndikimin e këtyre pikëpamjeve, historia e Shqipërisë u trajtua si veprimtari e figurave dhe heronjve të shquar.Disa “të rinj” përshëndetën politikat imperialiste si “Spazio vitale” e “Lebensraum”, për nënshtrimin e popujve. Ata përligjën pushtimin fashist të Abisinisë, sepse popujt e prapambetur e primitivë, këta grumbuj njerëzish pa ndërgjegje, nuk ecnin në një hap me kohën, dhe ishin të destinuar t’i nënshtroheshin vullnetit të kombeve më të forta.“Të rinjtë” shprehën pikëpamjen se diktatura ekzistuese çifligaro- borgjeze duhej të shndërrohej në diktaturë fashiste apo “diktaturë të ndritur”, siç quhej për eufemizëm. Për një shndërrim të tillë duhej mbështetur në përvojën e Gjermanisë naziste dhe të Italisë fashiste. Ky shndërrim do të kryhej brenda kuadrit të monarkisë dhe me ndihmën e mbretit. Këta arsyetonin papërshatshmërinë e regjimit demokratik për vendin; Rrymat revolucionare të proletariatit duheshin frenuar. “Diktatura e ndritur” duhej të formohej nga një elitë intelektuale me synime patriotike e përparimtare, nga njerëz të aftë e të kulturuar, të pajisur me ideale, që duhej të derdhnin energjitë e tyre në shërbim të popullit dhe kombit. Në organizim mendohej të merrej edhe përvoja e Italisë fashiste, por më shumë parapëlqehej përvoja e regjimit nazist. “Të rinjtë” ndienin admirim për organizimin nazist në sferat e ndryshme, për frymën totalitariste të regjimit dhe ndikimin e ideologjisë së tij. Një gjë të përafërt do të dëshironin ta realizonin në Shqipëri duke organizuar ushtarakisht djalërinë në qytete e fshatra, duke krijuar batalionet e “djalërisë shqiptare” që do t’u ngjanin batalioneve të sulmit në Gjermanisë. Në këtë organizim ushtarak mendohej të përfshihej gjithë brezi i ri prej moshës 7 vjeçare deri në moshën 35 vjeçare. Në çdo fshat e qytet duhej të kishte një komandë drejtuese dhe një këshill të zgjedhur prej të rinjve. Në krye të gjithë kësaj strukture duhej të ishte udhëheqësi apo mbreti. Fjala udhëheqës theksohej jo pa qëllim, por në ngjashmëri me titullin “fyhrer” të nazistëve. Në këtë frymë do të bëhej organizimi edhe në sfera e tjera. Sigurisht do të ndiqej dhe shembulli i Italisë fashiste.Fashistizimi i brezit të ri u konsiderua faktor kryesor për vendosjen e diktaturës fashiste. “Të rinjtë” e argumentonin vendosjen e “diktaturës së ndritur” edhe për të eliminuar lëvizjet politike të brendshme, por që qëllimi kryesor ishte siguria për të pasur një zhvillim ekonomik. Vendosja e “diktaturës së ndritur” duhej të ishte e menjëhershme pasi rreziku komunist ishte rritur, Seit Qemali theksonte: “Ata që nuk e duan Shqipërinë nën një diktaturë të djathtë, ta thonë çiltaz që dëshirojnë të mëngjërtën. Të përpiqemi të ngjallim këtu tendencat mesatare që kanë vdekur gjetkë, është një mundim i kotë. Çdo solucion jashtë dy ekstremeve nuk ka stabilitet. Fati e solli të kemi në krye një prijës gjenial, i cili është i zoti të na çojë atje ku janë qytetëria dhe lumturia, po qe se dhe ne i japim ato fuqi që u dhanë Musolinit, Hitlerit…. bashkëatdhetarët e tyre”.“Të rinjtë”, ashtu sikurse “të vjetrit”, kritikat më të mëdha i drejtuan kundër komunistëve. Ndarja e shoqërisë në klasa, lufta e klasave dhe ajo politike u cilësuan si dukuri jonormale që shkaktoheshin nga faktorë subjektivë të brendshëm dhe të jashtëm. Lufta e klasave mbillte anarkinë e demoralizimin në popull, çonte në humbjen e kotë të energjive dhe të vlerave morale të kombit.Ata shprehën se ishin për zhdukjen e “anarkisë së opinioneve” dhe për krijimin e një ideologjie të vetme për të gjithë kombin. Të gjitha klasat pa përjashtim, i gjithë populli duhej të kishin një pikëpamje. Ismet Toto ishte i mendimit se bashkimi i të gjithë popullit, do të bëhej i mundshëm jo vetëm kur të sigurohej paqja klasore, por edhe kur të likuidohej përçarja fetare dhe ndikimi i ideologjisë së klerit mbi popullin. Ai nga faqet e revistës “Iliria”, si dhe me anë të një broshure që botoi në vitin 1934, polemizoi me klerin katolik për problemin e fesë. Toto mendonte se mund të zhdukej përçarja fetare dhe ndikimi i fesë në kushtet e rendit çifligaro-borgjez.Idetë komuniste u konsideruan si produkt i zhvillimit të deformuar të kapitalizmit. Si rrjedhim i disa teprimeve të tij, në vendet kapitaliste, u shkaktua shfrytëzimi i punëtorëve nga komunistët. Kjo prirje nuk ishte një rregull, por një anomali.

Viron Koka, “Rrymat e mendimit politiko-shoqëror në Shqipëri në vitet 30 të shekullit XX”